Sot luhet Shqipëri-Angli, sfida e fundit e grupit në kualifikueset e Botërorit 2026
Dritare.net

Sot në mbrëmje, në ora 18:00, në stadiumin “Air Albania” zhvillohet dueli Shqipëri – Angli, ndeshja e fundit e Grupit K në kuadër të eliminatoreve të Kupës së Botës 2026. Të dyja skuadrat i kanë realizuar objektivat: Anglia ka siguruar vendin e parë dhe kualifikimin direkt në fazën finale të Botërorit që do të mbahet verën e ardhshme në Amerikën e Veriut, ndërsa Shqipëria e ka të garantuar pjesëmarrjen në “play-off”.
Kombëtarja kuqezi do të mësojë më 20 nëntor kundërshtarin e saj për gjysmëfinalen e play-off-it, që do të luhet më 26 mars 2026. Për këtë arsye, sfida e sotme pritet të ketë më shumë atmosferë feste sesa presion rezultati. Rreth 22 mijë tifozë do jenë të pranishëm në impiant, ku përveç mbështetjes së zjarrtë kuqezi do të ketë edhe fansa të Anglisë. Policia ka njoftuar masa të rrepta sigurie, ndërsa hyrja në stadium hapet prej orës 15:00./K.C/dritare.net