Ekskluzive/ Brenda spitalit ushtarak që ndërtoi Enver Hoxha, në Voskopojë!
Dritare.net
Në Voskopojë, sot zona më e vizituar në krahinën e Korçës, fshihet një histori e madhe. Pikërisht në këtë fshat, mes pyjeve është ndërtuar një tunel lufte. Për këtë vend nuk është folur dhe treguar kurrë, se çfarë misioni kishte.
Na ndiqni dhe jua tregojmë ne!
I përbërë nga 30 dhoma, ky është ndër tunelet më të veçanta në Juglindje, i ndërtuar në rrëzë të kodrës, u planifikua për të përballuar emergjencat spitalore në rast se Shqipëria do të sulmohej gjatë Luftës së Ftohtë, tregon Anton Falo për gazetaren Marina Kërçeli, në Dritare TV.
“Enver Hoxha e zgjodhi këtë vend për të ndërtuar spitalin sepse është një zonë e fshehtë në mes të pyjeve, nuk duket fare as nga avionët dhe është afër rrugës që lidh Voskopojën me Korçën. Nëse do sulmohej Shqipëria siç mendonte diktatori atëherë gjithë spitali i Korçës do të shpërngulej këtu ku ishin të gjitha repartet spitalore, kirurgjia, stomatologjia, pediatria. Spitali ka 30 dhoma nën dhe. Në këto dhoma ka pasur vegla spitalore, siç ishte në spitalin e Korçës. Vinin doktorët këtu çdo 10 ditë dhe i pastronin, pra ishin në gatishmëri punë të gjitha. Ky spital ishte i rrethuar me forca ushtarake dhe u ndërtuar nga vetë ushtarakëve. Në cdo hyrje dhe dhomë ka pasur skara hekuri për drenazhimin ujit, ishin 10 tualete për ushtarët, ka pasur edhe sistem ajrimi, ka katakombe, dhoma nga 7-8 metra të mëdha.
Ne e dinim që ishte një spital në këtë zonë, por nuk hynim dot. Pas 90-ës pastaj, filloi u shkatërrua spitali, u vodhën dyert, kabujt, tani kanë ngelur vetëm dhomat edhe pse ato të dëmtuara pasi kanë nisur të vjedhin hekurat e kolonave. Ky spital ka 3 hyrje-dalje, njëra prej të cilave ishte sekrete. Çdo hyrje ka pasur portën e vet prej hekuri po sot janë vjedhur për skrap. Ky spital nuk u provua asnjëherë, nuk u vu përdorim asnjëherë ditë se fatmirësisht nuk pati luftë.”, tregon zoti Anton Falo në DritareTV.
Pas ’90-ës ky spital u shit për skrap. Shumëkush mendonte se lufta ishte thjesht imagjinatë dhe spitalet e luftës nuk do i duhen kurrë askujt. Por pamjet e luftës në Gaza dhe Ukrainë, po na ndryshojnë mendjen dhe po na mësojnë se lufta është përherë një opsion dhe ti duhet të jesh gati edhe me spitale si ai i Voskopojës./dritare.net