Legjenda "Vrima e asketit", si u ndërtua 400 vite më parë Manastiri i Shën Prodhromit!
Dritare.net
Voskopoja që prej krijimit të saj është shquar për harmoninë fetare, kjo vërtetohet, nga Kishat, Manastiret që ndodhen në këtë zonë.
Një prej historianëve më të shquar të zonës, Dhori Falo, në librin e tij Tragjedia e një qyteti, shkruan: “Të gjithë pavarësisht nga gjendja ekonomike, ndjenin nevojën të largoheshin pak nga jeta materiale plot mundime, dhe të gjenin ngushëllim në një botë të brendshme shpirtërore. Vendet e shenjta, shihej si hapësirë ku qytetarët qanin hallet e shprehnin dëshirat”.
Në qytetin që u dogj tre herë, dikur kishte 24 kisha, me një popullsi afro 3 mijë banorë, të cilat u ndërtuan kryesisht rreth viteve 1712. Një ndër më të veçantit, pas djegies së kishës së Shën e Premtes, si gjurmë e asaj kohe, sot është Manastiri i Shën Prodhomit.
Ky Manastir, i afrohet deri diku stilit bizantin, pasi ndërthur disa elementë si kubetë dhe absidat. Ky manastir, fshihet mes pyllit, i vetmuar, por shumë pranë qytetit, që me karakterin e tij mikpritës arriti të mbijetojë deri sot.
Legjenda që e shoqëron këtë kult, nis me papa Janin, asketin e vrimës nëpër pyjet aty afër dhe për hir të tij, për t’i lehtësuar vuajtjet fizike të një jete plot vuajtje, banorët e Voskopojës së vjetër, i ngritën buzë shkëmbinjve një “godinë të parë”, ku mund të qetësonte shpirtin e trazuar.
“Si për çudi, bukuria e Legjendës vërtetohet edhe nga dëshmi materiale të ditëve të sotme. Ekziston “Vrima e asketit” apo “guva” në perëndim të Manastirit. Brenda kësaj vrime ka shenja të një qenie që ka jetuar. Tym, pisha, qiri, gropë anësore, ku mblidhej uji i nevojshëm për pirje e pastrim. Dikush u dergj aty brenda dhe disa të tjerë e ngritën këtë “banesë hyjnore” për të”, kështu e rrëfen në librin e tij, historiani Falo, fillimin e këtij Manastirin.
Edhe pse ky manastir filloi të ndërtohej rreth viteve 1632, siç dokumentohet edhe nga historianët, pikturimi i këtij kulti përfundoi rreth 25 vite më vonë, më 1659.
Sot vite më vonë, ky Manastir qëndron i hapur për të gjithë besimtarët, por kulmin e arrin më 24 qershor ku organizohet festa e Shenjtit, ku përveç riteve, vizitorët shijojnë edhe natyrën e bukur që e rrethon këtë kult, anembanë.
Dritare TV e vizitoi këtë Manastir që veçohet në fshatin turistik, ku djali i historianit, Anton Falo për gazetaren Marina Kërçeli, rrëfeu se ende dhe sot, ky kult vazhdon të jetë një strehë për të gjithë, pa dallime fetare.
“Ky është Manastiri i Shën Prodhomit, ku festohet çdo 24 qershor. Që në krijimet e tij, Shën Prodhomi ka qenë një strehë për të gjithë të varfrit, myslimanë apo ortodoksë. Madje, vizitohet më tepër nga myslimanët.
Ky Manastir, është më i vjetri që ka mbijetuar në Voskopojë. Po ashtu në këtë Manastir, ndodhen çezmat 400-500 vjeçare, që me krijimin e tij. Është ujë i bekuar, çdokush që e viziton këtë Manastir, beson se i sjell fat.
Këto çezma nuk kanë shteruar kurrë”, tha zoti Falo./dritare.net