Në Mat është një kishë e periudhës Bizantine që mban emrin e Aleksandrit të Madh. Kështu thotë historiani Sefer Duka në një bisedë me gazetaren Rudina Xhunga ndërsa tregon disa fakte që mendohet se lidhin Aleksandrin e Madh dhe origjinën e tij nga Mati. Pranë kishës së Shën Aleksandrit, thotë historiani janë edhe rrënojat e një kishe që quhet Kisha e Dakolit, kisha e më të fuqishmit.
“Mendohet se Aleksandri i Madh e ka vendlindjen në Pellë, që ka qenë një qendër urbane e kohës së lashtë dhe ka ekzistuar në zemër të Matit. Këtë e pohon edhe studiuesi dhe konsulli austriak i Janinës, Hahn i cili në vitin 1863 eksploroi nëpër Mat historinë e kësaj krahinë. Duke biseduar me banorë të Matit ai arriti të saktësojë Pella, e ka origjinën në zemër të Matit. Pyjet e dendura që kemi pasur në këtë zonë, e vërtetojnë këtë gjë sepse Pella ka qenë një vend i rrethuar nga pylli. Për historinë e Aleksandrit të Madh na vijnë në ndihmë edhe disa përkujdesje të mëvonshme, sidomos në Bizant kur u krijuan institucione shqiptare. Kemi toponime dhe emërtime kishash me emrin Aleksandri i Madh. Një ndër këto është ndërtuar në shekullin e IV ose të V-të të erës sonë dhe ndodhet në Skënderaj. Aty është një kishë me emrin Kisha e Shën Aleksandrit. Pranë kësaj kishe ndodhen edhe rrënojat e një kishe tjetër, që quhet Kisha e Dakolit. Në gjuhën matjane, dakol është “më i fuqishmi”. Kjo kishë mendohet se i referohet figurës së Aleksandrit të Madh.”, tregon historiani Sefer Duka në DritareTV./K.C/dritare.net