Na ndiqni edhe në

Bota

BE pezullon marrëveshjen tregtare me SHBA

BE pezullon marrëveshjen tregtare me SHBA


Kryetari i Komitetit për Tregtinë Ndërkombëtare të Parlamentit Evropian, Bernd Lange, ka konfirmuar se nuk ekziston “asnjë alternativë tjetër” përveç pezullimit të miratimit të marrëveshjes tregtare midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, për shkak të asaj që ai e përshkroi si kërcënime të vazhdueshme dhe në rritje nga ana e SHBA-së lidhur me Groenlandën.


Sipas Lange, duke kërcënuar “integritetin territorial dhe sovranitetin e një shteti anëtar të BE-së”, si dhe duke përdorur “tarifat si instrument presioni”, Shtetet e Bashkuara po minojnë seriozisht stabilitetin dhe parashikueshmërinë e marrëdhënieve tregtare mes BE-së dhe SHBA-së.

Pas një takimi me përfaqësues të institucioneve përkatëse, Lange bëri të ditur se Parlamenti Evropian ka vendosur të pezullojë punën për marrëveshjen tregtare “derisa SHBA-ja të vendosë të rikthehet në rrugën e bashkëpunimit dhe jo të konfrontimit”

Ai shtoi se së fundmi ka folur me mediat mbi këtë çështje dhe se deklaratat kryesore do të publikohen më vonë.

Tensionet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës ishin zbutur pas arritjes së marrëveshjes tregtare në korrik, gjatë një takimi në resortin golfistik Turnberry të Donald Trump në Skoci, por zhvillimet e fundit kanë rikthyer pasigurinë në marrëdhëniet dypalëshe./K.C/dritare.net