Na ndiqni edhe në

Bota

Përplasje të forta në SHBA pas pezullimit të emisionit të Jimmy Kimmel. Demokratët akuzojnë Trump për censurë

Përplasje të forta në SHBA pas pezullimit të emisionit

SHBA-të janë futur në një tjetër valë tensioni politik pas vendimit të rrjetit ABC për të pezulluar emisionin e humoristit të njohur Jimmy Kimmel, pas komenteve të tij mbi vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk. Ky hap ka ndezur një debat të madh mbi lirinë e shprehjes dhe rolin e qeverisë në media.

Në hapje të emisionit, Kimmel tha: “Vdekja tragjike e Charlie Kirk po përdoret nga mbështetësit e Trump si një mjet për përfitime politike. Ky nuk është respekt për viktimën, por manipulim i dhimbjes për agjendë”. Pikërisht këto fjalë sollën reagime të ashpra nga Shtëpia e Bardhë dhe më pas pezullimin e programit të tij.

Demokratët reaguan ashpër, duke e akuzuar administratën e Donald Trump për presion dhe censurë. Ish-presidenti Barack Obama e quajti këtë “nivel të rrezikshëm të anulimit të fjalës së lirë”, ndërsa theksoi se qeveria po përdor institucionet për të heshtur zëra kritikë.

Në të njëjtën linjë, liderët demokratë Chuck Schumer dhe Hakeem Jeffries kërkuan dorëheqjen e kryetarit të Komisionit Federal të Komunikimeve (FCC), Brendan Carr, i cili kishte paralajmëruar publikisht ABC-në se duhej të merrte masa kundër Kimmel, përndryshe do të kishte pasoja.

Nga ana tjetër, Carr mbrojti vendimin e rrjetit, duke thënë se komedianët e sotëm “nuk janë më thjesht humoristë, por propagandues politikë”. Megjithatë, anëtarja demokrate e FCC, Anna Gomez, e cilësoi ndërhyrjen një formë të rrezikshme të censurës, duke paralajmëruar se “një akt dhune i izoluar nuk mund të përdoret si justifikim për shuarjen e fjalës së lirë”.

Kjo përplasje ka thelluar edhe më shumë ndarjet politike në SHBA, me demokratët që flasin për një “sulm të paprecedentë ndaj komedisë” dhe republikanët që mbrojnë vendimin si të nevojshëm për të ruajtur kufijtë e debatit publik./K.C/dritare.net