
Më kanë thirrur në Hagë të dëshmoj. Flet ish-shefi i SHIK-ut, Fatos Klosi
Dritare.net
Ish-shefi i Shërbimit Informativ të Shtetit, profesor Fatos Klosi, ka deklaruar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV se është thirrur si dëshmitar në Gjykatën e Hagës për të dëshmuar në mbrojtje të UÇK-së.
Klosi theksoi se shumë dëshmitarë nuk po akuzojnë drejtpërdrejt komandantët e UÇK-së dhe se mungesa e provave konkrete ka zgjatur procesin:
“Dëshmitarët që janë thirrur në Hagë nuk po përmendin emrat e ish-krerëve të UÇK-së, sepse nuk kanë qenë asgjëkundi në skenë. Edhe nëse kanë bërë ndonjë hile, ose krim, nuk e kanë bërë në sy të dëshmitarëve. Pra, ata nuk po i akuzojnë për gjëra konkrete, por sepse kishin një ushtri dhe nuk ishin në gjendje ta kontrollonin. Ata nuk kanë prova konkrete për komandantët. Ndaj po zgjatet tani procesi. Fakti që po i mbajnë në paraburgim për kaq shumë kohë duket sikur duan t’i shpallin fajtorë, por vështirë të ndodhë. Mua më ka kërkuar mbrojtja si dëshmitar në Hagë. Do të shkoj, por unë nuk kam qenë në Kosovë asokohe, sepse pjesa më e madhe e problemeve janë pasi kanë hyrë ushtritë aleatë në Kosovë, kur UÇK-ja nuk ishte më operative.”
Profesor Klosi shtoi se roli i komandantëve politikë të UÇK-së shpesh keqkuptohet, pasi ata nuk kanë vepruar drejtpërdrejt në terren, por kanë organizuar ushtrinë, gjë që ka vështirësuar gjykimin dhe proceset gjyqësore./K.C/dritare.net

















