Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Aksidenti fatal në Durrës/ Pezullohen nga detyra drejtori i Policisë së Durrësit dhe 2 shefa të tjerë!

Aksidenti fatal në Durrës/ Pezullohen nga detyra drejtori i

Pas aksidentit të rëndë në Durrës ku dy fëmijë të mitur humbën jetën dhe një tjetër u plagos rëndë, kryepolici Skënder Hita ka pezulluar nga detyra deri në përfundim të hetimeve drejtorin e Policisë së Qarkut Durrës, Afrim Tafa, duke e zëvendësuar përkohësisht në detyrë me Ervin Hodajn.

Gjithashtu, menjëherë pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi Drejtorinë e Policisë Rrugore për të ngritur një grup ekspertësh të cilët shkuan në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për të vlerësuar nëse ka apo jo përgjegjësi në radhët e punonjësve të Policisë, për këtë rast.

Ngjarja ndodhi dje rreth orës 14:20 në lagjen numër 15 të qytetit bregdetar, e njohur edhe si ish-Këneta, ku tre fëmijë po luanin në trotuar, kur automjeti “Mercedes-Benz ML” me shpejtësi të lartë i mori përpara. Si pasojë e përplasjes, humbën jetën në vend Eneo Muca, 12 vjeç, dhe Klersi Nikolli, 10 vjeç. Klersi Nikolli i kishte prindërit në Itali, sepse babai i tij, Petriti, po kurohej nga një sëmundje e rëndë.

Ndërsa, 8-vjeçari i cili mbeti i plagosur pritet të transferohet në pavion. I mituri ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por do të vijojë të mbahet nën kujdesin e mjekëve, për trajtimin e plagëve të marra si pasojë e aksidentit.

Të plagosur mbetën edhe një 25-vjeçare dhe një 30-vjeçar, Megi Loci dhe Enea Kardhiqi, të cilët ndodheshin pranë fëmijëve në momentin e aksidentit.

Shoferi Nikoll Radaçi akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” (në gjendje të dehur) dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. /L.F-dritare.net