Përplasja e ashpër/ Berisha akuza Salianjit, si përgjigjet ish-deputeti!
Dritare.net

Janë përplasur sërish figurat kryesore të Partisë Demokratike, ku deklaratat e forta të Sali Berisha nga Dibra kanë sjellë një reagim të menjëhershëm dhe po aq të ashpër nga Ervin Salianji. Berisha deklaroi para demokratëve se Salianji është vetëpërjashtuar nga PD për shkak të qëndrimeve dhe kontakteve të tij politike, duke e akuzuar për afrime me persona të përfshirë në hetime dhe duke pretenduar se ai ka vepruar në kundërshtim me linjën e opozitës. Ai gjithashtu riktheu akuzat ndaj Bashës, duke e lidhur me çështje të njohura politike dhe duke pretenduar tentativa për bashkëpunim me qeverinë.
“I shkova dhe në burg, pa diskutim. Jepja porosi edhe miqve të tjerë që të shkojnë dhe ta takojnë. Unë kam një ligj të hekurt që nuk e shkel kurrë. Kurrë nuk nisem nga mosbesimi dhe nga paragjykimi. Unë nisem nga besimi. I them do të të kooptojmë në Kryesi. Më thotë nuk duhet të behën zgjedhje në parti sepse në kohë diktaturë nuk bën opozita zgjedhje. Jo i them do bëjmë zgjedhje. Vinte rregullisht në zgjedhje, nuk shtronte asgjë të veçantë. Ndërkohë informacione të verifikuara… ky në burg drekonte më Pëllumb Gjokën dhe Oltion Bistrin. Ky ishte opozitë ata ishin byrazerë të qeverisë. Kjo 100% e vërtetë nga persona që janë marrë me organizimin e drekave të tyre. Pastaj gjatë verës, ky shkonte në Qerret te Ergys Agasi, njeriu që unë sulmoja më shumë. Siç e dimë, ne mbajtëm një heshtje totale deri sa doli raporti i OSBE/ODIHR, sepse Rama po bënte gjithçka për ta ndryshuar. Doli raporti, menjëherë mblodha Kryesinë dhe thashë tani në sulm. Ishte dhe ai dhe tha po. Thirra dhe e pyeta se çfarë aksione duhej të ndërmerrnim, nuk më tha. Iku dhe kur del thërret më të votuarit, i shkojnë… shumë mirë. Kur shkuan aty e panë që nuk shkohej më. Nis takimet, i thashë ‘këta nuk janë të partisë’. I thashë që ata janë njerëz që punuan kundër në fushatë. Më pas i thashë e ke përjashtuar veten nga PD, beteja jonë me PS është jetë a vdekje. Erdhi në një mision në të cilin dështoi”, tha Berisha nga Dibra.
Reagimi i Salianjit nuk ka vonuar, i cili vetëm pak minuta pas deklaratave të Berishës është kundërpërgjigjur me një postim të fortë, ku e akuzon liderin e PD-së si të lidhur me krimin e organizuar dhe si figurë të refuzuar nga ndërkombëtarët dhe demokratët.
"Sali “kolltuku” i damkosur, jo i akuzuar kot!
Sali “kolltuku”, alias Sali “brava”, është sot i vetmi politikan në Partinë Demokratike i faktuar nga një gjykatë perëndimore si i lidhur me krimin e organizuar dhe si politikan që i ka përdorur këto lidhje për influencë politike.
Jo nga gjykatat e kapura të regjimit në Shqipëri.
Por nga qeveri të djathta perëndimore dhe nga gjykata britanike.
Ky është fakt. Jo propagandë.
Shfaqja e sotme në Dibër ishte tabloja më e qartë e rënies dhe tregoi pse ky uzurpator nuk bën garë!
Një sallë që nuk mbush dot as dy kate me 200 persona, megjithëse ishte mbledhur i gjithë qarku.
Një lider i braktisur nga demokratët.
Dhe një monolog i mbushur me mashtrime të vjetra.
Kur të lë populli, të mbetet vetëm zëri… dhe ai kthehet në zhurmë!
I njëjti model, i njëjti mentalitet
Lulzim Basha ishte “familjari i dashur” i Saliut:
e promovoi, e përdori dhe e mbrojti.
Sot, edhe pasi u largua Basha, modeli mbeti po ai:
* i njëjti ekip
* të njëjtat vese
* e njëjta mënyrë përzgjedhjeje deputetësh
* e njëjta “opozitë” që ulet në gjunjë për leje, tendera dhe pazare me Ramën
Ka vetëm një ndryshim:
Saliu sot është i refuzuar nga ndërkombëtarët, nga shoqëria dhe gjithnjë e më shumë nga vetë demokratët.
Prandaj nuk bën garë.
Prandaj ka uzurpuar PD-në si frikacak.
Sepse gara e nxjerr zbuluar dhe humb privilegjet dhe paratë per te cilat shet shpirtin!
Sot nis publikimin e fakteve.
Poshtë është një fakt i zi mbi të bardhë:
Vendimi i gjykatës britanike konfirmon se nuk bëhet fjalë për thashetheme, por për prova të mjaftueshme që lidhin Sali Berishën me korrupsion dhe krim të organizuar.
E vërteta e hidhur;
Ndërkohë që demokratët kërkojnë alternativë dhe fitore,
ata mbahen peng nga një figurë që është shpallur problem sigurie nga aleatët strategjikë të Shqipërisë.
Kjo është drama reale e Partisë Demokratike:
jo përballja me kundërshtarin se atë e mundim, por pengmarrja nga e shkuara
Koha e alibive ka mbaruar.
Ose PD ndahet nga e shkuara e korruptuar,
ose mbetet peng i saj.", shkruan Salianji./K.C/dritare.net