Na ndiqni edhe në

Editorial

E keqja tërheq, por e mira na mban gjallë

E keqja tërheq, por e mira na mban gjallë

Nga Rudina Xhunga

Tregimi i Ditës në DritareTV dhe një mesazh për gazetarët e rinj

Flitet gjithnjë e më shumë për mirëqenie: për ushqimin, për stresin, për gjumin, për shëndetin mendor. Dhe një nga këshillat më të shpeshta që japin mjekët është i thjeshtë, por i vështirë për t’u zbatuar: mos lexo lajme.

Por si mund të mos i lexosh lajmet, kur ato të vijnë që në momentin që hap sytë? Kur algoritmi t’i zgjedh vetë dhe t’i vendos përpara, sipas asaj që ke parë, lexuar apo shpërndarë më parë?

Dhe ndërsa i lexon një nga një, e ndjen si të rëndohet frymëmarrja. Sepse ajo që lexon është pothuajse gjithmonë zi. Kronikë e zezë. Dhunë. Vrasje. Frikë.

Secili prej nesh merr lajmet që i ngjajnë vetes: kush ndjek kronikën e zezë, do të shohë vetëm kronikë të zezë; kush ndjek reality show, do të mbytet nga thashethemet; kush ka frikë, do të ushqehet me frikë. Kështu funksionon algoritmi. Por kështu funksionon edhe mendja jonë.

Pak para se të hyja këtu, lexova një lajm për një përplasje mes dy shoferëve që përfundoi me një jetë të humbur. Një sherr banal, një vdekje absurde. Llahtar. Dhe këto lajme nuk janë më përjashtim. Janë përditshmëri.

Një pjesë e përgjegjësisë nuk bie vetëm mbi ata që i prodhojnë lajmet, por edhe mbi ne që i shpërndajmë. Jehona është po aq e fortë sa vetë lajmi. Detajet e tmerrshme që riprodhohen pafund nuk informojnë, por rëndojnë.

Ndërkohë kemi një uri të madhe për lajme të thjeshta, njerëzore, të mira. Lajme që të kujtojnë se edhe e mira ekziston dhe ka peshë.

Personalisht, frymëzimin pozitiv nuk e marr nga lajmet. E marr nga libri. Kur gjithçka më duket zi, hap një libër, edhe një që e kam lexuar më parë. Dhe çdo herë kuptoj se nuk e paskam lexuar vërtet. Dhe kjo më qetëson.

Por për ata që nuk lexojnë libra dhe jetojnë vetëm me lajme, mjafton edhe një lajm i vogël i mirë për t’u ndryshuar dita. Si një buzëqeshje në pallat, një përshëndetje, një ndihmë e vogël në dyqanin e lagjes.

Edhe lajmet funksionojnë njësoj. Mjafton të fusësh pak të mirë. Sepse nuk ka shans që e mira të mos ndodhë.

Ne jetojmë në një vend pa luftë. Dhe kjo është e jashtëzakonshme, në një botë ku lufta është lajm i përditshëm. Nga Gaza te Siria, nga Euroja te vendet që po përgatiten për skenarë lufte. Ndërkohë, këtu paqja shpesh na duket normale dhe e pavlerësuar.

Media ka një rol të madh: të fusë çdo ditë pak dozë lajmesh të mira. Jo për klikime. Për shëndetin tonë mendor. Për veten.

Gazetar i ri, kudo që je: fut një lajm të mirë nga vetja. Trego për një fëmijë që shkëlqen, për një mësuese që frymëzon, për një njeri që bën diçka të drejtë pa zhurmë. Edhe një rast në ditë bën ndryshim.

Ne te Dritare TV besojmë te kjo filozofi. Nuk jemi televizioni i klikimeve, por i ndikimit. Dhe kemi mbi 300 milionë shikime pikërisht sepse besojmë te e mira dhe sepse besojmë që edhe publiku beson te e mira.

Drama tërheq. Por e mira na mban gjallë.

U bëfshim jehona e lajmeve të mira që do të nisin të shkruajnë gazetarët e rinj të këtij vendi./dritare.net