Historia e njeriut në plep dhe Berishës në rrugë!
Dritare.net

Nga Dritan Hila
Një herë në një fshat të Shqipërisë, kishte ngecur njëri në majë të plepit.
Mblidhet fshati dhe filluan të gjithë të jepnin mend sesi të zbriste fatkeqi. Pasi e pleqëruan, vendosën të thërrisnin Saliun. Saliu ishte si punë Mbrojtje Civile në fshat, pasi e thërrisnin për bllokime, zhbllokime, përmbytje apo zjarre. Vjen Saliu, shikon gjendjen dhe kërkon një litar. Ia sjellin litarin dhe ai ia hedh njërin skaj atij që kishte ngecur në majë. Lidhe në mes litarin, i thotë Saliu. Lidhet ai. Pas kësaj, Saliu e tërheq fort litarin dhe fatkeqi bie i vdekur në tokë. Ç’na bëre o Sali, iu sul fshati? Nuk di ç’të them pse nuk funksionoi, tha Saliu, unë me këtë metodë një herë kam nxjerrë edhe njërin që kishte rënë në pus.
Kjo barceletë mu kujtua kur lexova një nga djemtë e rinj të PD, me shkollim të mirë dhe që nuk është i pamençur, që pyetjes se çfarë do bëjnë që të përmbysin Ramën, ju tha se do vazhdojnë me protesta, mbase edhe duke mos lëvizur nga bulevardi.
Gjynah që e mendon kështu, pasi kjo lloj proteste nuk ka qenë asnjëherë frutdhënëse e shqiptarët ia kanë pirë lëngun. Nuk funksionoi kur e bëri Rama, nuk funksionoi kur e bëri Basha&Berisha, dhe nuk do funksionojë as herën e tretë. Në demokraci nuk funksionojnë as çadrat, as grevat e urisë, as molotovët dhe as sikur t’i vënë flakën vetes protestuesit. Të gjitha janë provuar anembanë botës dhe rezultati ka qenë negativ për praktikuesit. Në rastin shqiptar, kur vazhdohet me praktika të stërbëra në këto 35 vite, ajo çfarë mund të arrihet është të hedhin të vdekur PD-në. Sepse Saliu kaq di të bëjë. Ai di të flasë vetëm për protesta vdekje, revolucione madje edhe me fëmijë rom (këta janë skalion i aleatit PL), vetëm se puna është që kjo metodë mbase e nxori një herë nga pusi në ‘92-shin, se ashtu ishin ca punë dhe kohërat, por sot nuk të nxjerr nga pusi e as të shpëton nga plepi./dritare.net