Na ndiqni edhe në

Editorial

Një hartë e miqve dhe armiqve të Edi Ramës në Amerikë

Një hartë e miqve dhe armiqve të Edi Ramës në

Nga Dritan Hila

Ka kaluar një vit nga instalimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, por Edi Ramës nuk i janë lëkundur pozitat në Uashington. Përkundrazi! Kjo natyrisht është zhgënjim për demokratët të cilët mesa duket e kanë ngatërruar MAGA-n me demokratët e Laçit dhe Mamurrasit me të cilët dikur Berisha krenohej se mund ta përmbyste Fatos Nanon brenda ditës. Mbase prisnin që në mos Delta Force, të paktën militantët e QAnon që ia mësynë dikur Capitol Hillit, të vinin në Tiranë dhe përzinin Ramën.

Mirëpo sot, pas një viti, duket se Rama është më mirë sesa me demokratët e Biden. Dhe kjo e ka shpjegimin, nisur edhe nga harta e Uashingtonit.

Miqtë e Ramës ndodhen në Shtëpinë e Bardhë. Jared Kushner, është kanali direkt i Ramës. Nëse dikur Aleks Soros bënte telefonin e prishur, sot Kushner dhe Ivanka janë ambasadorët e tij në Zyrën Ovale. Aq më tepër është rritur valenca e Ramës, kur llogarit se Vuçiç u tregua i dobët duke iu rrëzuar investimi i Kushner në Beograd. Kurse Zvërneci dhe Sazani po përparon.

Kushner është gjithashtu përfaqësues i lobit të fuqishëm hebre në Uashington.

Si një perandori e tejshtrirë, në Uashington ekziston edhe pesha e aparateve, ajo që Trump e quan Deep State. Përfaqësues i tyre është Marco Rubio, dikur një kundërshtar i Trump. Këta nuk janë as simpatizantë dhe as armiq të Ramës. Janë teknicienë që bëjnë llogaritë e perandorisë. Dhe për ta Rama është një aset që siguron stabilitet dhe nuk ndërhyn në punët e fqinjëve kur këtë nuk ia kërkojnë amerikanët. Kosova dhe Maqedonia janë shembull. Sigurisht që ka probleme konsumi, por këto nuk janë problem i amerikanëve por i PR të Ramës. Për më shumë është i vlefshëm pasi nuk kundërshton asnjë kërkesë të SHBA.

Një rrymë tjetër janë NeoCon, këta janë partizanët e goditjes preventive Kinës dhe Rusisë. Janë lojtarë që luajnë në fusha të mëdha dhe jo me porta të vogla.

Gjithsesi amerikanët përveç interesave të pastra kanë edhe problemet e makiazhit. Kanë kujdesin që ai që përfaqëson interesat e tyre të ketë një vello pëlqyeshmërie. Dhe Berisha nuk është aspak i tillë. I konsumuar në politike dhe moshë, nuk është kali që mund të vesh bast, jo për një kampionat por as për një garë. Paratë e shpenzuara për lobim janë thjesht një bast i humbur. Perandoritë nuk funksionojnë si kioska. Ndaj djemtë e PD që sorollaten rrugëve të Uashingtonit dhe ngrenë teori komplotistë me Soros, bëjnë mirë të ndërrojnë karrocë./dritare.net