
Nga Dritan Hila
Nuk kanë kaluar as 24 orë që kur Mogherini doli nga qelia.
Ajo është marrë në pyetje për disa veprime të saj lidhur me aktivitetin si kryetare e Akademisë për përgatitjen e diplomatëve të rinj të Bashkimit Evropian. Pasi ka sqaruar situatën, ka dalë jashtë.
Ndërkohë, nuk ka vonuar përplasja politike në Bruksel, ku disa e kanë konsideruar arrestimin e saj një hap të qarqeve filo-ruse.
Në fakt, nëse del që Mogherini nuk është e përfshirë në afera financiare, atëherë duhet të pranohet se Moska ka pasur ndikim. Pavarësisht se Perëndimi ka mbështetur fuqishëm Ukrainën, pjesë të mëdha të popullsisë, deri 40%, kanë mbështetur Moskën. Dhe nuk mungojnë edhe parti prezente në Bruksel që kanë simpati për Putinin.
Edhe në Shqipëri reagimet nuk kanë munguar. Menjëherë pas arrestimit të Mogherinit, shtypi dhe politikanët e djathtë u gëzuan për këtë fakt dhe filluan të propagandonin, a thua se Mogherini ishte zëvendëskryeministre e Ramës dhe sikur ishte zbuluar ndonjë aferë korrupsioni mes Mogherinit dhe Ramës.
Kuptohet se ata bënin asociacione duke thënë se “Ramës po i arrestohen të gjithë miqtë”. Madje u përhap ideja se Mogherini kishte qenë një bashkëpunëtore e Ramës. Nuk u tha vetëm se Rama po i bënte presion drejtësisë së Brukselit për ta liruar.
Por në fakt, as Mogherinit, as Ramës nuk i hyn ferrë në këmbë, pasi çështjet e PD-së nuk kanë ndikim në Bruksel. Ndërsa në Shqipëri, balanca politike është e ndarë dhe Rama ka një mazhorancë solide, ndaj këto sulme nga portalet dhe blogjet nuk kanë efekt.
I vetmi efekt që prodhojnë është bjerrja e imazhin e PD-së.
Madje edhe ambasadori i BE-së nuk është nga ata që simpatizon Partinë Demokratike, veçanërisht pasi u sulmua më parë nga kryetari i PD-së, i cili më pas i kërkoi falje.
Me këto sulme të vazhdueshme ndaj zyrtarëve të BE-së, PD-ja në fakt po i bën gropën vetes. As Mogherinit, as përfaqësuesve të BE-së në Tiranë nuk u hyn ferrë në këmbë nga kjo punë.
Dhe e vetmja gjë që bëjnë është të dëmtojnë imazhin e vendit dhe të vetes, duke e bërë pushtetin të duket i largët dhe i paarritshëm./dritare.net