
Bankat po ndryshojnë qasjen ndaj fermerëve shqiptarë, ndërsa industria agroushqimore po hyn në një fazë të re modernizimi, ku financimi dhe teknologjia po ecin paralelisht drejt rritjes së prodhimit vendas. Ky ishte një nga mesazhet kryesore të episodit të parë të ciklit “Gjëja e gjallë të mban gjallë” nga Rudina Xhunga në DritareTV, që sot ishte te ferma “Fshatçe” në Libofshë.
Drejtoresha e biznesit SME në Raiffeisen Bank, Elira Abeshi, tha se sektori i bujqësisë dhe blegtorisë shihet ndryshe tashme nga bankat.
“Ne në Raiffeisen Bank kemi një prioritet kryesor financimin e sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë dhe mbi të gjitha fermerëve të vegjël. Kemi ndërtuar produkte që adresojnë vështirësitë e tyre dhe përshtaten me madhësinë e fermës”, u shpreh Abeshi.
Sipas saj, një nga problemet më të mëdha të fermerëve shqiptarë ka qenë mungesa e formalizimit dhe kolateralit, por tashmë bankat po ofrojnë produkte më fleksible dhe më të përshtatura me realitetin e sektorit.
“Problemet kryesore që kanë fermerët e vegjël janë formalizimi, mungesa e kolateralit apo dokumentacionit për të nisur një aplikim financimi. Ne i marrim në konsideratë të gjitha këto dhe ndërtojmë produkte sipas madhësisë së fermës”, tha ajo.
Abeshi shpjegoi se bankat tashmë financojnë edhe nevoja të vogla të përditshme të fermerëve, pa kërkuar domosdoshmërisht garanci të mëdha pasurore.
“Ne ofrojmë produkte të pasiguruara për blerjen e ilaçeve për bagëtinë, për farat, plastmasat e serave apo nevoja të tjera të punës së përditshme. Financimet shkojnë 2 milionë lekë dhe deri në 4 milionë lekë për fermerë më të mëdhenj”, deklaroi ajo.
Një tjetër element që sipas saj ka ndryshuar është mënyra si bankat përshtasin këstet e kredive me ciklin e të ardhurave në bujqësi.
“Ne përcaktojmë kohën kur gjenerohen të ardhurat dhe u përshtasim fermerëve një skedul pagese në linjë me madhësinë e fermës dhe realizimin e të ardhurave të tyre”, tha Abeshi.
Mesazhi i Raiffeisen Bank për fermerët është i qartë: bankat nuk janë më një derë e mbyllur për bujqësinë shqiptare. Abeshi thekson se fermerët e vegjël nuk duhet të druhen më nga sistemi bankar, pasi vetë bankat kanë ndryshuar mënyrën si e shohin sektorin Agri.
“Të mos i shohin bankat aq larg. Ne kemi investuar për të kuptuar më mirë biznesin e tyre dhe për të krijuar produkte fleksibël që i ndihmojnë të rriten”, u shpreh Abeshi.
Ajo theksoi se rritja e interesit të fermerëve për financim po shihet qartë edhe në shifra.
“Në dy vitet e fundit kemi marrë më shumë se 12 mijë klientë të rinj fermerë që kanë hapur llogari bankare. Ka shumë më tepër interes dhe kjo tregon se gjërat kanë ndryshuar”, tha ajo.
Ky episod tregon qartë rolin gjithnjë e më të rëndësishëm që bankat po marrin në transformimin e bujqësisë shqiptare. Nga një sektor i perceptuar si i vështirë dhe me rrezik të lartë, agrobiznesi po kthehet sot në një fushë partneriteti mes fermerëve dhe institucioneve financiare.
Raiffeisen Bank, përmes qasjes së saj të re dhe produkteve të përshtatura për fermerët e vegjël e të mëdhenj, po shfaqet jo thjesht si financuese, por si një partner zhvillimi në terren. Dhe aty ku banka afrohet më shumë me realitetin e fermës, hapet edhe rruga për një ekonomi rurale më të fortë, më të formalizuar dhe më të qëndrueshme./ dritare.net