Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

LVV-ja dhe LDK-ja marrëveshje për formimin e institucioneve

Pajtim në parim për të lidhur koalicion, në takimin e së premtes, kanë arritur Albin Kurti me Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin. Siç është informuar KOHA dakordimi përfshinë ndarjen e tri pozitave kryesore të shtetit. Megjithatë për të marrë zyrtarizimin, palët po presin zhvillimet brenda LDK-së

Në takimin e disa ditëve më parë që zgjati më shumë se dy orë, Lumir Abdixhiku, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti janë marrë vesh në parim për formimin e institucioneve dhe ndarjen e pozitave në to.

Zyrtarisht kjo nuk është konfirmuar nga asnjëri subjekt, por sipas informatave që ka siguruar KOHA, Lidhja Demokratike do të përfshihet në koalicion qeverisës duke marrë zëvendëskryeministrin e parë dhe tri Ministri. Gjithashtu, sipas burimeve të KOHËS, LDK-ja do ta marrë edhe pozitën e kryetarit të Kuvendit.

Ndërsa emrin e presidentit do ta propozojë Vetëvendosje.

“Marrëveshja është arritur, por ky pajtim mes palëve ende nuk është zyrtarizuar për shkak të problemeve brenda LDK-së”, ka bërë të ditur burimi i KOHËS.

Nga grupi prej 18 deputetëve, pakënaqësi me Abdixhikun kanë shprehur gjashtë deputetë: Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Armend Zemaj, Janina Ymeri dhe Arben Gashi.

KOHA i ka kontaktuar të gjashtët nëse do ta mundësojnë kuorumin për president në rast të një dakordimi LVV-LDK. Është përgjigjur vetëm Ymeri, e cila ka mohuar se ka marrëveshje të tillë.

“Ka kohë për këtë përgjigje. Nuk është arrit asnjë marrëveshje deri më tani”, ka deklaruar Ymeri.

Nëse të gjithë këta nuk pajtohen që së paku të qëndrojnë së sallë kur të votohet presidenti, atëherë marrëveshja nuk do të jetësohet.

Në zgjedhjet e 7 qershorit Vetëvendosje, që doli e para, siguroi 53 mandate. LDK-ja, doli e treta dhe fitoi 18 ulëse në Kuvend.

Një marrëveshje mes këtyre dy partive garanton 71 vota. Me deputetët e komuniteteve pakicë sigurohet pragu prej 80 votave për të mundësuar zgjedhjen e presidentit.

E gjatë një përplasje në distancë mes anëtarëve të Degës së LDK-së në Podujevë, asamblisti Ermal Osmani, përmes një postimi në Facebook, tha se kryetari i degës, Ekrem Hyseni, në funksion të ruajtjes së pozitës së tij, në emër të ministrit të ardhshëm të Shëndetësisë po u ofron pozita në këtë dikaster anëtarëve të ndryshëm të partisë.

“Duke premtuar pozita, zëvendësministra, punësime dhe favore, kinse në emër të ministrit, e ka humbur besueshmërinë. Pas shtatë palë zgjedhjeve të humbura, si ai ashtu edhe shefi i tij në Prishtinë, suksesi i vetëm që kanë shënuar është humbja. Tashmë, duke ushtruar presion mbi delegatët e degës në çdo formë, po përpiqen të mbajnë pozitën”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Edhe gjatë bisedimeve për zgjedhjen e presidentit të mbajtura në muajin prill mes Kurtit e Abdixhikut, ata njoftuan se janë diskutuar ide të ngjashme.

Atëkohë Kurti i pati ofruar LDK-së zëvendëskryeministrin, ministrinë e punëve të jashtme dhe tri ministri të tjera. E pasi Abdixhiku refuzoi, Kurti i pati bërë ofertë tjetër - që LDK-ja të marrë pozitën e kryetarit të Kuvendit, në këmbim të nënkryetarit dhe votave për presidentin. Deri më 7 gusht, deputetët kanë kohë për të konstituuar Kuvendin./KohaDitore