Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

A po hyn bota në një epokë të re pasigurie globale?

A po hyn bota në një epokë të re pasigurie globale?

Nga John Simpson, BBC

Viti 2025 po shihet nga shumë vëzhgues ndërkombëtarë si një nga periudhat më shqetësuese që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Jo vetëm për shkak të numrit të madh të konflikteve të armatosura, por sepse disa prej tyre kanë pasoja gjeopolitike që rrezikojnë ekuilibrin global.

Ukraina dhe rreziku i përshkallëzimit

Lufta në Ukrainë mbetet epiqendra e këtij tensioni. Për herë të parë pas dekadash, një fuqi e madhe ka pushtuar një shtet europian sovran, duke shkaktuar viktima masive civile dhe ushtarake, si dhe zhvendosje të mëdha të popullsisë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se ky konflikt mund të zgjerohet në një përplasje shumë më të madhe, madje globale.

Ndryshe nga konfliktet rajonale të së kaluarës, kjo luftë përfshin drejtpërdrejt interesat e NATO-s, Rusisë dhe në mënyrë indirekte edhe të Kinës. Sulmet kibernetike, sabotimi i infrastrukturës kritike dhe lufta hibride janë bërë pjesë e realitetit të përditshëm europian.

Një Perëndim më i pasigurt

Një nga ndryshimet më të mëdha të kësaj periudhe është qëndrimi i Shteteve të Bashkuara. Administrata amerikane ka treguar hezitim për të mbajtur rolin tradicional si garantues i sigurisë europiane, shkruan dritare.net. Kjo ka krijuar një boshllëk strategjik që Rusia është e gatshme ta shfrytëzojë.

Europa, megjithëse ekonomikisht e fortë, vazhdon të përballet me mungesë uniteti dhe gatishmërie ushtarake. Frika nga kostoja ekonomike dhe politike e një përballjeje të drejtpërdrejtë e ka bërë reagimin europian shpesh të kujdesshëm.

Lindja e Mesme dhe Afrika

Ndërkohë, lufta në Gaza dhe konflikti shkatërrues në Sudan tregojnë se bota po përballet me disa kriza njëkohësisht. Këto luftëra kanë shkaktuar humbje të mëdha njerëzore dhe katastrofa humanitare, por vëmendja ndërkombëtare shpesh është e shpërndarë dhe e pamjaftueshme.

Kina dhe Tajvani, një rrezik në horizont

Në Azi, tensionet rreth Tajvanit mbeten një tjetër pikë e nxehtë. Edhe pse Pekini nuk ka vepruar ende ushtarakisht, ambicia e Kinës për të zgjeruar ndikimin e saj është e qartë. Udhëheqja kineze, e ndjeshme ndaj stabilitetit të brendshëm, e sheh forcën dhe vendosmërinë si thelbësore për ruajtjen e pushtetit.

A po ndryshon forma e Luftës së Tretë Botërore?

Shumë analistë besojnë se nëse do të ketë një “Luftë të Tretë Botërore”, ajo nuk do të ngjasojë me luftërat e shekullit XX. Nuk do të jetë domosdoshmërisht një përplasje e drejtpërdrejtë bërthamore, por një seri manovrash politike, ekonomike, teknologjike dhe ushtarake që do të forcojnë regjimet autoritare dhe do të dobësojnë aleancat tradicionale perëndimore.

Viti 2026 pritet të jetë vendimtar. E ardhmja e Ukrainës, roli i Amerikës, ambiciet e Rusisë dhe Kinës, si dhe aftësia e Europës për të vepruar e bashkuar, do të përcaktojnë drejtimin e rendit botëror. Nga perspektiva europiane, sfidat janë të mëdha dhe optimizmi i vogël.

Procesi i ndryshimit tashmë ka filluar – dhe pasojat e tij mund të ndihen për dekada./L.F-dritare.net