
Aksion në Bankers Petroleum Albania: Arrestohen drejtues të lartë, hetim për evazion dhe pastrim parash!
Dritare.net
Prokuroria e Fierit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor, ka ndërmarrë një operacion të gjerë në zyrat e kompanisë “Bankers Petroleum Albania”, e cila operon fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës një nga më të mëdhatë në Evropë.
Në njoftimin zyrtar, prokuroria bën me dije se janë lëshuar 14 masa sigurie, prej të cilave 10 janë ekzekutuar, ndërsa 4 persona janë ende në kërkim.
Ndër të ndaluarit janë drejtues të nivelit të lartë, përfshirë ish-përgjegjës të kompanisë gjatë periudhës 2004–2016 dhe drejtues aktualë, që akuzohen për veprimtari kriminale në fushën e evazionit fiskal, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
Sipas të dhënave të hetimit, kompania ka deklaruar për vite me radhë humbje të qëllimshme, duke shmangur pagesën e tatimit mbi fitimin dhe veçanërisht TVSH-së, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit. Prokuroria thekson se në periudhën 2004–2019, kompania ka qarkulluar mbi 532 miliardë lekë, ndërsa ka deklaruar humbje mbi 11.7 miliardë lekë, duke mos kryer detyrimet përkatëse tatimore.
Operacioni përfshiu kontrolle në zyrat e kompanisë në Fier, sekuestrimin e dokumentacionit financiar, si dhe masa për sigurimin e provave që lidhin strukturat e kompanisë me shkeljet e rënda ekonomike.
Ky është një ndër rastet më serioze të hetimit të një kompanie të huaj në sektorin strategjik të energjisë në Shqipëri dhe pritet të ketë jehonë të gjerë në raportet ndërkombëtare të investimeve dhe qeverisjes fiskale./E.P-dritare.net

















