
Në Korfuz nuk kanë problem as ushqimin, as blegtorinë! Si e ka zgjidhur Greqia atë që Shqipëria s’po e zgjidh dot
Dritare.net
Në intervistën për emisionin Shqip në Dritare TV, Aleksandër Jorgaqi, veteriner 92-vjeçar që jeton prej vitesh në Korfuz pranë familjes së vajzës, tregoi se si ishulli grek ka zgjidhur në mënyrë funksionale lidhjen mes bujqësisë, blegtorisë dhe turizmit – një model që Shqipëria ende nuk arrin ta kuptojë.
“Në Korfuz funksionon ekonomia e tregut,” – thotë ai.
“Kush prodhon, shet. Kush investon, fiton. S’ka burokraci, s’ka barriera, s’ka hipokrizi.”
Sipas Jorgaqit, atje gjen të gjitha nivelet e konsumit:
– Do mish organik? Ka.
– Do peshk të egër? Ka.
– Do qumësht të freskët apo produkte artizanale? Ka.
– Do të hash lirë? Mundesh.
– Do të paguash 3.000 euro për një pjatë elitarë? Edhe ajo ekziston.
“Peshku më i mirë në treg kushton sa një rrogë. Por është i egër, i kontrolluar, i certifikuar. Kjo është zgjedhje. Dhe çdo gjë shkon përpara sepse ekziston zinxhiri i plotë i prodhimit.”
Ai thekson se Greqia ka kuptuar një gjë që Shqipëria ende s’e kupton:
“Nuk ka turizëm pa produkt vendas. Nuk ka restorant pa fshat. Nuk ka shije pa tokë.”
Sipas tij, ndërsa në Shqipëri tokat po mbulohen me panele diellore apo po braktisen, në Korfuz kodrat janë të mbjella, stallet funksionojnë dhe të huajt blejnë dhe ndërtojnë aty sepse kanë siguri, rend dhe përfitim.
“Këtu nuk merret subvencioni për ta shitur tokën, por për ta shfrytëzuar. Dhe njerëzit nuk kanë frikë se nesër s’do kenë kujt t’i shesin.”
Jorgaqi bën thirrje që Shqipëria të mos shpikë modele abstrakte, por të mësojë nga ajo që ka përballë, vetëm pak milje larg:
“Kemi të njëjtin klimë, të njëjtat kodra, të njëjtin ujë. Por ata kanë vizion. Ne kemi vetëm premtime.”/driitare.net

















