
S’ka turizëm pa bujqësi dhe blegtori! Pse Shqipëria po i ofron turistëve vetëm fasadën, jo thelbin
Dritare.net
Në një intervistë të gjatë në emisionin Shqip në Dritare TV, Aleksandër Jorgaqi – veteriner 92-vjeçar dhe ish-drejtor i ndërmarrjes bujqësore të Roskovecit – dha një mesazh të qartë dhe të dhimbshëm për Shqipërinë që ndërton resorte, por nuk prodhon më as një kokërr vezë:
“Po ndërtojmë rrugë, hotele dhe resorte. Po i tregojmë botës natyrën. Por turistit nuk i mjafton pamja. Ai do të ushqehet me atë që rrit ky vend. Dhe sot, Shqipëria nuk ka ç’ti ofrojë.”
Jorgaqi theksoi se turizmi elitar nuk vjen për të konsumuar mish pule pa shije, djath me amidon apo qumësht pluhur. Ai vjen për të provuar autenticitetin: ushqimin e zonës, shijen e tokës, produktin që s’të gënjen.
“Nëse turisti ha këtu të njëjtin qumësht që pi në supermarket në vendin e tij, pse të vijë në Shqipëri?” – pyeti ai.
“Nëse pula nuk ka parë dritë dhe domatja është rritur me hormone, ai nuk po ha Shqipëri. Ai po ha plastikë me etiketa shqiptare.”
Sipas tij, ky është gabimi më i madh i modelit aktual të zhvillimit:
– Turizmi rritet, por bujqësia vdes.
– Ndërtojmë hotele, por nuk kemi më stan në male.
– Kthejmë fshatarët në hotelierë të pasigurt, në vend që t’i ndihmojmë të bëhen prodhues të fortë.
“Kujt po i shërbejnë këto resorte kur njerëzit nuk dinë të shërbejnë? Sepse nuk janë ndërtuar për këtë. Janë njerëz të tokës. Duhet të bëjnë atë që dinë më mirë.”
Zgjidhja sipas Jorgaqit është rikthimi i lidhjes natyrale:
“Blegtoria e jep qumështin, bujqësia jep domaten, dhe së bashku ushqejnë turizmin. Po i ndave, i vrave të treja.”

















