Albin Kurti: Fitorja në 7 komuna është sukses i Lëvizjes Vetëvendosje
Dritare.net

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, e ka cilësuar si një sukses të rëndësishëm për partinë e tij fitoren në shtatë komuna në zgjedhjet lokale në nivel vendi. Ai ka theksuar se arritja e katër fitoreve në balotazh vjen në një situatë të pazakontë politike, ku – sipas tij – “të gjithë të tjerët janë bashkuar kundër VV-së”.
“Është një situatë e paprecedentë në historinë politike elektorale të Kosovës, andaj ky është një sukses i VV-së dhe i qytetarëve. Po i presim ende rezultatet në disa komuna, por tash duhet të shkoj me nxitim në tubimet festive – fillimisht në Fushë-Kosovë, pastaj në Kastriot e mandej në Mitrovicë,” ka deklaruar Kurti për mediat.
Lëvizja Vetëvendosje kishte siguruar fitore në raundin e parë të zgjedhjeve në Podujevë, Shtime dhe Kamenicë. Ndërsa nga 12 komunat ku garoi në balotazh, partia arriti të fitojë edhe në Mitrovicën e Jugut, Gjilan, Obiliq dhe Fushë-Kosovë.
Me këto rezultate, VV-ja konfirmon një prani të qëndrueshme në disa prej komunave kryesore të vendit, pavarësisht sfidave të koalicioneve kundërshtare në garat lokale./L.F-dritare.net