Nis numërimi i votave në Tepelenë dhe Berat, testi i parë me Inteligjencë Artificiale në procesin zgjedhor
Dritare.net

Tre orë pas mbylljes së procesit të votimit, ka nisur numërimi i votave në bashkitë e Tepelenës dhe Beratit. Në Tepelenë, për herë të parë po testohet edhe numërimi me ndihmën e Inteligjencës Artificiale (AI), megjithatë procesi po zhvillohet paralelisht edhe në mënyrë manuale.
Në qendrat e votimit 4356 Progonat, 4359 Nivicë dhe 4360 Sinanaj në Tepelenë, numërimi po shkon drejt fundit. Deri tani, kandidati socialist Gramoz Sako kryeson me epërsi të thellë ndaj Gabriel Gumës, kandidatit të pavarur të mbështetur nga Partia Demokratike.
Në qendrën 4359 në Nivicë, rezultati është 199 vota për Sakon, 6 për Gumën, ndërsa 1 fletë është shpallur e pavlefshme.
Edhe në Berat ka nisur procesi i numërimit. Në KZAZ 67, kutia e parë ka dhënë rezultatet e para, ku Ervin Ceca i Partisë Socialiste ka marrë 145 vota, i ndjekur nga i pavaruri Pavllo Shkarpa me 8 vota, ndërsa 6 fletë janë shpallur të pavlefshme.
Ndërkohë, në Vlorë dhe Cërrik numërimi sapo ka nisur, ndërsa në Mat pritet të fillojë brenda orëve në vijim.
Sipas të dhënave të para, pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë vetëm 18.45% nga 334,539 qytetarë me të drejtë vote në pesë bashkitë ku u votua këtë të diel.
Mati ka regjistruar pjesëmarrjen më të lartë me 39.36%, e ndjekur nga Tepelena me 34.63%, Cërriku me 25%, dhe Berati me 19.98%.
Vlora, bashkia më e madhe në këto zgjedhje, ka pasur pjesëmarrjen më të ulët — vetëm 12.54% të votuesve dolën në qendra.
Ky proces shënon një risi për sistemin zgjedhor në vend, me përfshirjen eksperimentale të teknologjisë së Inteligjencës Artificiale në numërimin e votave për herë të parë në Shqipëri./dritare.net