Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Altin Prenga në mbrojtje të fermerëve: Mos gjuani me gurë ata që ushqejnë vendin

Altin Prenga në mbrojtje të fermerëve: Mos gjuani me gurë

Sipërmarrësi i njohur i agroturizmit Mrizi i Zanave, Altin Prenga, ka reaguar publikisht mbi trajtimin që shpesh u bëhet bujqve dhe blegtorëve në vend. Në një postim ai ka denoncuar atë që e quan “gjyq publik” ndaj shtresës së vetme që punon me djersën e ballit për të mbajtur familjet dhe për të ushqyer shqiptarët.

“Gjuajtja me gurë kolektive e bujkut dhe blegtorit rezulton e suksesshme çdo herë, por kjo situatë vetëm sa i shton ujin mullinjve të importit, zhvlerëson produktin vendas dhe thellon braktisjen e zonave rurale,” shkruan Prenga.

Duke sjellë përvojën e tij personale me mbi 400 familje fermerësh, ai ka treguar se pavarësisht vështirësive, shpesh ata janë treguar të ndershëm, duke kthyer para kur llogaritjet janë bërë gabim në favor të tyre.

“Ndoshta nuk na e thonë kur llogaria është në dëm të tyre, por gjithmonë kur është në favor, paratë i kthejnë mbrapsht,” theksoi ai.

Prenga solli në vëmendje edhe shembullin e nobelistit të ekonomisë, Muhammad Yunus, i cili ka treguar se kreditë për fermerët kanë riskun më të ulët, pasi bujku dhe blegtori veprojnë me besë, jo për kolateral.

Ai u bëri thirrje opinionit publik dhe institucioneve që të ndalin stigmatizimin e bujqve për fajin e një pakice të vogël. “Për fajin e 1% nuk mund të paguajnë 99% e tyre,” përfundon reagimi i Prengës./L.F-dritare.net