Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Hapet gara për drejtuesin e ri të SPAK!

Hapet gara për drejtuesin e ri të SPAK!
Foto Mbledhja e KLP-së

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka hapur zyrtarisht garën për drejtuesin e ri të SPAK, i cili do të zëvendësojë Altin Dumanin, mandati i të cilit përfundon në muajin dhjetor. Me 11 vota pro dhe asnjë kundër, u miratua projektvendimi që i hap rrugën zgjedhjes së drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme.

Në mbledhje u dakordësua që kandidatët, nga radhët e SPAK, kanë afat 3 javë për aplikimin, pra deri më datë 8 tetor.

“Afati për dorëzimin e aplikimeve është deri më datë 8 tetor 2025. Vendimi hyn në fuqi menjëherë. Shpallet në Tiranë, sot më datë 17 shtator 2025. Me 11 vota pro, asnjë kundër miratohet”, tha kryetarja e KLP.

Relatori Sokol Stojani propozoi 2 javë afat, por Vate Staka kërkoi që afati të jetë 3 javë.

“I bëjmë thirrje prokurorëve të SPAK të aplikojnë, dorëzojnë platformën e tyre mbi çështjet me rëndësi dhe interes publik”, tha Stojani.

Mbledhja e trupës së KLP-së, u ndoq edhe nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane. Ashtu siç parashikohet dhe me ligj, gara është hapur 3 muaj përpara përfundimit të mandatit të kryeprokurorit Altin Dumani i cili është zgjedhur për të qenë në krye të Prokurorisë së Posaçme më 16 dhjetor 2022. /E.P-dritare.net