
Rutte pret Ramën në Bruksel/ Kryeministri: Po rilindim industrinë ushtarake
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama u takua këtë të mërkurë në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në selinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Takimi u fokusua te roli i Shqipërisë në NATO, mbështetja për Ukrainën dhe planet për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.
Sekretari i Përgjithshëm Rutte vlerësoi Shqipërinë si një “aleat të fortë” duke nënvizuar se vendi ynë këtë vit do të arrijë nivelin 2% të shpenzimeve për mbrojtjen, një nga objektivat kryesorë të NATO-s. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e investimeve në industrinë kombëtare të mbrojtjes dhe kontributin e Shqipërisë në misionet e Aleancës, përfshirë praninë në Letoni, Bullgari dhe në KFOR-in e Kosovës, si dhe ndihmën konkrete për Ukrainën.
“Ju po jepni një kontribut shumë më të madh se sa madhësia juaj. Shqipëria nuk është një vend i madh, por është një aleat i besueshëm. NATO mund të mbështetet gjithmonë te Shqipëria, ashtu si edhe Shqipëria te NATO,” deklaroi Rutte, duke falënderuar Ramën për bashkëpunimin e ngushtë.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama shprehu vendosmërinë që Shqipëria të bëjë edhe më shumë për sigurinë e përbashkët euroatlantike, duke theksuar projektet strategjike të qeverisë shqiptare. Një nga më të rëndësishmit është ndërtimi i një porti të ri ushtarak në Porto Romano, i cili pritet të forcojë kapacitetet detare të vendit në bashkëpunim me NATO-n.
“Ne duam të bëjmë më shumë dhe tani po hedhim bazat për rilindjen e industrisë sonë ushtarake. Ndërtimi i portit të ri ushtarak në Porto Romano është një nga prioritetet tona,” tha Rama, duke shtuar interesin e Shqipërisë për të qenë pjesë e programit “Safe” të BE-së, që shtrihet përtej kufijve të unionit.
Takimi u mbyll me konfirmimin e rolit të Shqipërisë si partner i besueshëm i Aleancës. Rutte, i cili vizitoi Tiranën në maj në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, e cilësoi Ramën mik personal dhe bashkëpunëtor të çmuar./L.F-dritar.net

















