Brenda spitalit nëntokësor të Sazanit, i gatshëm për luftë bërthamore!
Dritare.net

Ishulli misterioz i Sazanit, pika më perëndimore e Shqipërisë dhe një nga zonat më të mbyllura ushtarake gjatë shekullit të kaluar, është rikthyer në qendër të vëmendjes. Për herë të parë, kamerat e Dritare TV kanë dokumentuar nga afër një qytet të tërë antibërthamor të ndërtuar nën sipërfaqen e shkëmbit, një rrjet tunelesh dhe strukturash masive që tregojnë për një histori të panjohur të militarizimit shqiptar.
Gjatë eksplorimit, Mustafa Beu, ish-shefi i Shtabit që ka shërbyer për dekada në Sazan zbulon detaje mbi dimensionet dhe funksionalitetin e këtij kompleksi sekret. Nën tokë gjenden strehime gjigante, furra buke, dhoma komande, si dhe një spital i plotë ushtarak.
I pajisur me salla operacionesh, farmaci dhe dhoma shtrimi, spitali ishte ndërtuar për të funksionuar edhe gjatë një sulmi të mundshëm bërthamor.
“Pas nesh është qyteti antibërthamor nën tokë,” tregon zoti Beu, duke hapur portën e një bote të projektuar për të përballuar skenarët më ekstremë. Sipas tij, e gjithë fortifikata është ndërtuar brenda shkëmbit masiv, gjë që i jepte mbrojtje maksimale: “Po qe shkëmb, s’i bën gjë hiç.”
Eksperti flet me dhimbje për braktisjen e ishullit: “Këtu është derdhur djersë. Kjo djersë duhet mbrojtur.” Ai thekson se fortifikatat janë pjesë e trashëgimisë kombëtare dhe një provë e sakrificave të shqiptarëve të asaj kohe. Me një paralajmërim të fortë, ai shton: “Kujdes në firmosjen e kontratave me ishullin e Sazanit… nuk e marrim më.”
Sipas tij, zgjidhja urgjente është rikthimi i një kontingjenti policor dhe një reparti ushtarak, për të ndalur vandalizimin dhe për të garantuar sigurinë e këtij aset strategjik.
Dritare TV, me këtë eksplorim të rrallë, sjell në vëmendje jo vetëm një destinacion turistik me potencial të jashtëzakonshëm, por edhe një monument të pazëvendësueshëm të historisë ushtarake shqiptare, i cili rrezikon të zhduket pa u dokumentuar e pa u mbrojtur./L.F-dritare.net