Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Detyrim i ri për baret, restorantet dhe hotelet: Për çdo karrige në trotuar do të mbillet një pemë

Detyrim i ri për baret, restorantet dhe hotelet: Për çdo

Baret, restorantet dhe hotelet mund të shfrytëzojnë deri në 25% të gjerësisë së trotuarit për vendosjen e tavolinave dhe karrigeve për qëllimi biznesi.

Por tashmë, dhënia e çdo leje të re për shfrytëzimin deri në 25% të trotuarit, do të kushtëzohet nga zbatimi i bizneseve të një detyrimi të ri: për të mbjellë një pemë për çdo karrige të vendosur. Detyrimi për mbjelljen e një pemë për çdo karrige të vendosur në trotuar do të jetë edhe për kioskat.

E paralajmëruar që në muajin shtator 2025, Këshilli i Ministrave tashmë nëpërmjet një projektvendimi ka propozuar rregullat e reja për shfrytëzimin e hapësirave publike.

Projektvendimin “Për miratimin e rregullores së shfrytëzimit të hapësirës publike” përbëhet nga 13 kapituj dhe përcakton një kuadër të ri dhe të detajuar për administrimin dhe shfrytëzimin e hapësirave publike në nivel kombëtar.

Rregullorja fillimisht dispozitat e përgjithshme dhe përcakton strukturat përgjegjëse për zbatimin dhe monitorimin, si dhe rregullon në mënyrë specifike përdorimin e hapësirave nga bizneset gastronomike (bare, restorante, hotele), ekspozimin e mallrave jashtë njësive tregtare, aktivitetet ambulante dhe tregjet.

Gjithashtu, trajton rregullat e reja për dhënien e lejeve për vendosjen e kioskave dhe strukturave reklamuese (si city light dhe tabela LED), përdorimin e fasadave për reklama, organizimin e panaireve, aktiviteteve promovuese, kulturore e politike, si dhe menaxhimin e hapësirave publike në plazhe dhe rregulla të reja për zënien e trotuareve me skela gjatë punimeve të ndërtimit.

Në fund, përfshin dispozitat përfundimtare që rregullojnë zbatimin e saj në praktikë.

Për shfrytëzimin e hapësirave publike nga bizneset gastronomike (bare, restorante, hotele), specifikisht në rregullore përcaktohet se për rastet kur parashikohet vendosja e karrigeve, subjekti është i detyruar të mbjellë një pemë për çdo karrige të vendosur. “Leja konsiderohet e vlefshme vetëm pas dokumentimit zyrtar të mbjelljes së pemëve dhe përmbushjes së plotë të detyrimeve tatimore dhe financiare përkatëse”, citohet në rregullore.

Por në mënyrë kategorike rregullorja ndalon për këto biznese vendosjen e strukturave erëpritëse, vazove apo tapeteve mbi hapësirë të gjelbër. Ndërsa zgarat pjekëse me qymyr apo elektrike ndalohen të vendosen në trotuar pa aspirator.

Aplikimet për lejet e shfrytëzimit të trotuareve do të kryhen pranë pushtetit vendor nëpërmjet platformës e-Albania.

Afati i lejes së dhënë do të jetë 2 vjeçar, ndërsa për lejet provizore për raste festash afati do të jetë 30 ditë.

Rregullorja gjithashtu vendos masa të ashpra për të gjitha kategoritë e bizneseve që shkelin kushtet e përcaktuara në leje.

Si fillim bizneseve u jepet paralajmërim për korrigjimin e shkeljeve me afat nga 2 deri 5 ditë. Nëse shkeljet nuk korrigjohen subjekti gjobitet jo më pak se 35.000 lekë për metër katror, në varësi të sipërfaqes së shfrytëzuar.

Prej muajsh në mbarë vendin nga institucionet përkatëse vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike. Në muajin shtator 2025 kryeministri Edi Rama paralajmëroi rregulla të reja për shfrytëzimin e hapësirave publike, duke paralajmëruar se për çdo karrige të zënë do të mbillet një pemë.

Artikulli i plotë në Revistën Monitor