Erion Braçe kërkon hetim të pasurisë për drejtorët: Deputeti-deputeti, por ujku të than
Dritare.net

Deputeti socialist Erion Braçe ka shprehur kritika gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë për projektligjin “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, duke kundërshtuar diferencimin që po bëhet mes deputetëve dhe drejtorëve të institucioneve shtetërore.
Braçe theksoi se, në momentin që një zyrtar publik menaxhon interesa të drejtpërdrejta, si deputeti ashtu edhe drejtori i një institucioni, duhet të jenë të barabartë në raportimin e stilit të jetesës dhe të ardhurave.
Sipas tij, nuk është i drejtë që periudha e ndalimit pas largimit nga detyra të jetë e njëjtë për deputetët dhe drejtuesit që kanë menaxhuar tendera dhe fonde publike për vite me radhë.
“Një drejtor që ka menaxhuar miliona, tendera prej 10-12 vitesh, nuk mund të ketë vetëm një vit ndalim. Nuk shkon që koha e konfliktit të interesit të jetë një vit për të gjithë”, u shpreh Braçe.
Ai ngriti gjithashtu shqetësime për mënyrën se si parashikohet të matet “stili i jetesës”, duke theksuar se kjo mund të sjellë paqartësi dhe konflikt.
Si shembull, Braçe përmendi veshjet dhe koston e tyre, duke ironizuar faktin se rroba me çmime të ndryshme mund të interpretoshin në mënyra të ndryshme nga mekanizmat e kontrollit.
Deputeti socialist solli në vëmendje edhe situatën e deputetëve që vijnë nga zonat rurale, të cilët zotërojnë toka bujqësore, duke pyetur se si do të veprojnë ata nëse u ndalohet çdo aktivitet dytësor, edhe kur deklarojnë të ardhurat. Braçe theksoi se problemi, sipas tij, nuk qëndron vetëm te deputetët, por te zyrtarë të tjerë që menaxhojnë interesa të mëdha publike, duke kërkuar që ligji të trajtojë në mënyrë më gjithëpërfshirëse konfliktin e interesave.
“Ka deputetë që vijnë nga zonat rurale, kanë hektarë tokë, do ti bëjë hyzmetin asaj gjëje, se nuk ka krahë pune tjetër atje. Pse do marrë punëtorë ai, të lejë nam. Deputeti si beu që shfrytëzon krahun e punës. Nuk shkon. Janë ca gjëra që duhen kufizuar tek deputeti, por nuk mund të shkohet në ekstrem.
Për sa kohë ai deklaron të ardhurat. Ne kemi futur disa kategori që nuk janë në ligjin për kontrollin e pasurive. Nuk janë këto të tatimeve dhe doganave nuk janë atje. Nëse u fusim këtu, duhet ti çojmë edhe atje. Të gjithë turren deputeti-deputeti, po ujku vazhdo ujku atje që të than”, tha Braçe./L.F-dritare.net