Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Doktori si Rita Marko

Doktori si Rita Marko

Nga Ilir Demalia

Doktori dhe “tabori” prej 300 vetash: Spektakli i radhës në SHQUP

Mbrëmë, Partia Demokratike zhvilloi një tjetër mbledhje të quajtur “foltore”, me një pjesëmarrje rreth 300 vetash – një shifër që tregon qartë gjendjen e rënduar të kësaj force politike, e cila prej kohësh as dëgjohet dhe as ndiqet nga shumica e publikut.

Shfaqja e radhës, e shoqëruar me krekosjen e zv/presidentit të sapozgjedhur të CDI-së, më kujtoi skenat e dikurshme të Rita Markos, kur si kryetar i Bashkimeve Profesionale përshëndeste kuadratet e punëtorëve të dalluar të viteve të komunizmit.

CDI, 17 zv/presidentë dhe “arritja” e doktorit

Sali Berisha u kthye në qendër të vëmendjes pas marrjes së postit të zv/presidentit të CDI-së – një organizatë me plot 17 nënkryetarë, ku doktori është tashmë një ndër ta. Për të, kjo u shpall si një fitore e madhe ndërkombëtare, megjithëse as vetë mbështetësit nuk arrijnë të kuptojnë çfarë peshe reale ka ky pozicion.

Por çfarë lidhje kanë deklaratat e tij për PD-në si parti “konservatore e djathtë” me faktin që CDI bashkëpunon dhe lidhet ngushtësisht me IDC, një organizatë me axhendë të hapur liberale, përfshirë mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT? Berisha, që nuk toleron as përmendjen e këtyre çështjeve në politikën e brendshme, kësaj here do të duhet ta “përtypë” këtë këmbë të mesit të CDI–IDC-së, sepse i nevojitet çdo mbështetje përballë drejtësisë.

Retorika e vjetruar e “narkoshtetit”

Edhe nga São Paulo, doktori lëshonte të njëjtin shirit propagandistik që lëshon çdo natë: “Shqipëria narkoshtet”, “Ramaduro”, “regjimi më i zi në Europë”. Kjo retorikë e stërpërsëritur është bërë tashmë aq bajate, saqë nuk impresionon më askënd – përveç taborit të ngushtë të SHQUP-it, që mbrëmë e duartrokiti si punëtorët e dalluar që dikur shpërblente Partia e Punës.

Ndërkohë, BE ka hapur grup-kapitujt e negociatave dhe ka vlerësuar përparimet e Shqipërisë, madje duke lënë të nënkuptohet se vendi mund të bëhet anëtar në vitin 2028. Presidenti i CDI-së dhe 17 zv/presidentët, vallë a kanë burime të tjera informacioni përveç Berishës? A e dinë ata se tabloja që ai paraqet për Shqipërinë nuk përkon me realitetin e institucioneve evropiane?

Dilema e një zv/presidenti “non-grata”

Një tjetër pyetje që lind është se si do të menaxhojë CDI fakti që një nga 17 zv/presidentët e saj – pikërisht Berisha – është shpallur non-grata nga SHBA dhe Britania e Madhe. Çfarë do të ndodhë nëse takimi i radhës do të mbahet në një nga këto vende? Si do të përfaqësohet organizata, kur zv/presidenti i saj nuk mund të udhëtojë?

Kthim në skenografinë e vjetër

I gjithë spektakli i mbrëmshëm më ngjante me ato kongreset e dikurshme të Partisë së Punës, ku Rita Marko përshëndeste ndërmarrjet e dalluara. Ashtu si ai, doktori u përpoq të ngrinte moralin e taborit të ngushtë të SHQUP-it, duke i “dekoruar” me një arritje që në realitet vlen më shumë si fasadë sesa si sukses politik.

Mes brohorimave të 300 vetave, Berisha deklaroi:
“Tani ne nuk jemi vetëm, por kemi mbështetje botërore.”

Por mjafton të shikoje atë tabor mbrëmë para Komitetit Qëndror, Ironia e asaj pamjeje e thoshte vetë të vërtetën: mbështetja e vetme ishte ajo e zakonshmja, e brendshme, e improvizuar dhe e destinuar për t’i dhënë frymë një partie të rrudhur dhe një lideri të ngrirë në kohë./n'xhiro me syçin