
Çfarë do të ndodhë më 11 shtator? Bashkim Hoxha shuan kureshtjen
Dritare.net
Sot, i ftuar në emisionin “Dekalog” të Roland Qafokut në DritareTV, gazetari Bashkim Hoxha u ballafaqua me kureshtjen e qytetarëve për formimin e qeverisë së re. Një qytetare telefonoi gjatë transmetimit live për të pyetur se çfarë pritet të ndodhë më 11 shtator, kur kryeministri Edi Rama do të shpallë kabinetin e tij të ri, Rama 4. Pritshmëritë dhe spekulimet mbi emrat e ministrave kanë qenë të shumta, por Hoxha vendosi të japë një përgjigje të qartë, duke e vendosur realitetin mbi parashikimet.
“Kërkohet një parashikim për një vendim të paparashikueshëm. Sipas praktikave që ka kryeministri Rama, ai qeverinë e shpall si surprizë, madje edhe për vetë ministrat, të cilët e mësojnë aty në mbledhjen e Asamblesë. Siç e dëgjojmë edhe ne, siç e mëson edhe publiku. Por, nga ana tjetër, unë nuk e ndjek politikën në mënyrë të veçantë. Politikën e shoh vetëm në raportin që ka me qytetarët dhe me problematikat e jetës së tyre. Prandaj nuk mund të jem parashikues i mirë në këtë rast. Nuk mund të parashikohet asgjë për diçka të paparashikueshme. Rama një ditë para mund të thotë: ‘Dua qeveri me profesionistë.’ Një ditë tjetër thotë: ‘Jo, e dua me politikanë.’ Varet si e mendon dhe si informohet.” – u shpreh Hoxha.
I pyetur se çfarë do të dëshironte të përmirësohej në qeverinë Rama 4, ai nënvizoi rëndësinë e figurave me vlera dhe përfaqësuese të komuniteteve:
“Unë do të doja të dëgjoja emrat e njerëzve që janë promovuar nga komunitetet, njerëz me vlera, jo emra të panjohur. Gjithashtu doja që kjo qeveri ta përfaqësonte realisht platformën për të cilën fitoi zgjedhjet, atë të integrimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Pra, të ishte e përbërë nga emra që vërtet ‘tërheqin karrocën’ në këtë drejtim, e jo thjesht emra për të bërë qoka ose për të ndarë tortën (pushtetin). Kjo do të ishte dëshira ime, që shpresoj të dëgjohet.”, tha Bashkim Hoxha në DritareTV./dritare.net

















