Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kumbaro: Turizmi dhe mjedisi nuk janë armiq, por ekuilibër për zhvillim të qëndrueshëm

Kumbaro: Turizmi dhe mjedisi nuk janë armiq, por ekuilibër për

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së ekuilibrit mes mjedisit dhe zhvillimit turistik, duke e cilësuar këtë si çelësin e së ardhmes së sektorit.

“Nëse bota e konsideron turizmin dhe mjedisin si dy armiq, atëherë do të bëhen vërtet armiq dhe më pas kjo keqpërdoret si perceptim dhe instrument politik. Nuk mund të kemi zhvillim të qëndrueshëm pa mbrojtje të mjedisit. Shqipëria, po nuk e ruajti këtë ekuilibër, do të humbasë një aset që sot është kthyer në instrument pozitiv për turizmin,” – u shpreh Kumbaro.

Duke iu referuar trendeve të reja pas pandemisë, ministrja tha se turisti i dekadave të ardhshme do të ketë profil tjetër, duke kërkuar jo vetëm cilësi shërbimi, por edhe respekt për mjedisin. “Nëse deri dje kërkohej hoteli me 5 yje apo mundësia për të marrë qenin me vete, sot pyetjet janë: a konsumon energji të gjelbër apo fosile hoteli, a mund të udhëtoj me tren apo vetëm me makinë? Industria e turizmit po shkon në këtë drejtim,” – theksoi ajo.

Kumbaro solli edhe të dhënat e fundit mbi rritjen e numrit të vizitorëve të huaj. Në vitin 2019, Shqipëria mirëpriti 6.5 milionë turistë të huaj, ndërsa këtë gusht vendi numëroi gati 9 milionë vizitorë, me një rritje prej 10% ose rreth 200 mijë turistë më shumë krahasuar me gushtin e vitit të kaluar.

Sipas saj, turistët që kanë vizituar Shqipërinë janë bërë “ambasadorë bio” të vendit, duke promovuar natyrën, ushqimin dhe përvojën shqiptare në mënyrë autentike.

“Ashtu si ushqimin bio, edhe ata janë ambasadorë bio. Ky është produkti që duhet promovuar dhe ruajtur në çdo kohë,” – përfundoi ministrja./L.F-dritare.net