Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Fermeri në Vilë Bashtovë: Unë kisha qumësht me aflatoksinë. Pësova 8 milionë lekë dëm!

Fermeri në Vilë Bashtovë: Unë kisha qumësht me

Si prodhohet qumështi dhe çfarë ndodh në fermat që e furnizojnë industrinë? Në një reportazh për DritareTV, gazetarja Rudina Xhunga ka ndjekur nga afër rrugëtimin e qumështit, duke ndalur edhe në fermën SSSS Demiri në Kavajë.

Fermeri Skënder Demiri tregon se ferma e tij ka nisur mbi 20 vite më parë, fillimisht me disa viça dhe më pas me rritjen graduale të tufës së lopëve. Ai thotë se për disa vite ka punuar në Itali, përpara se të kthehej dhe të ndërtonte fermën e tij në Shqipëri.

“Nuk jam penduar,” shprehet ai, duke theksuar se me këtë punë ka arritur të mbajë familjen dhe të rrisë dy fëmijët.

Por puna në fermë, sipas tij, nuk është pa vështirësi. Një nga momentet më të vështira ka qenë kur qumështi rezultoi me aflatoksinë, një problem që, siç shpjegon ai, erdhi nga misri i mykur që përdorej për ushqimin e kafshëve.

Sipas fermerit, për katër ditë qumështi nuk u pranua dhe një pjesë e madhe u derdh, ndërsa një pjesë u përdor vetëm për viçat. Humbjet, thotë ai, arritën në rreth 8 milionë lekë.

Demiri tregon se zgjidhja u gjet duke hequr misrin nga ushqimi dhe duke përdorur përbërës të tjerë si sojë, elb dhe grurë, si dhe produkte kundër mykut, të cilat i siguroi përmes kontakteve me fermerë italianë.

Ai thekson se problemi kryesor mbetet kontrolli i zinxhirit të furnizimit me ushqim për kafshët, pasi, sipas tij, shpesh fermerët janë hallka e fundit që mbajnë barrën e humbjeve.

“Në fund jemi gjithmonë ne humbësit,” thotë Demiri, duke shtuar se fermerët kanë nevojë për më shumë kontrolle dhe mbështetje, sidomos për cilësinë e ushqimit të kafshëve.

Reportazhi në DritareTV nxjerr në pah se rrugëtimi i qumështit, nga ferma te fabrika, është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, ku çdo hallkë nga ushqimi i kafshëve deri te përpunimi ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e produktit që shkon në tryezën e konsumatorit./E.P-dritare.net