Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Fotot e fundit të Sarkozy para burgut!

Fotot e fundit të Sarkozy para burgut!

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy nisi sot dënimin 5-vjeçar në burg. Kjo është hera e parë që një ish-udhëheqës i Francës moderne dënohet.

Sarkozy u dërgua me makinë në kompleksin e burgut të martën në mëngjes, duke përshëndetur me dorë mbështetësit e tij ndërsa largohej nga shtëpia.

Makina që e transportonte atë ishte e rrethuar nga dhjetëra motocikleta dhe automjete policie, teksa lëvizte drejt burgut La Santé në jug të Parisit.

Muajin e kaluar, Sarkozy u dënua me pesë vite burg për konspiracion kriminal, për rolin e tij në një skemë që synonte të financonte fushatën e tij presidenciale të vitit 2007 me fonde nga Libia, në këmbim të favoreve diplomatikë.

Ish-presidenti, i cili u largua nga posti në vitin 2012, do të apelojë vendimin, por ndërkohë pritet të qëndrojë në një qeli të veçuar ose në të ashtuquajturën “krahu VIP” të kompleksit të burgut La Santé.

Ky seksion zakonisht ruhet për të burgosur që konsiderohen të papërshtatshëm për t’u mbajtur me popullatën e përgjithshme të burgut, zakonisht për arsye sigurie.

Në këtë kategori përfshihen politikanë, ish-zyrtarë policie, anëtarë të organizatave të ekstremit të djathtë apo persona të lidhur me grupe terroriste islamike, raportoi BFMTV.

Në një deklaratë të postuar në platformën X menjëherë pasi makina që e transportonte u nis për në burg, Sarkozy theksoi se ai është një “i pafajshëm.”

“Teksa përgatitem të hyj brenda mureve të burgut La Santé, mendimet e mia shkojnë për popullin francez” tha ai.

“Dua t’u them me forcën time të palëkundur se nuk është një ish-president i Republikës që po mbyllet sot në burg, por një njeri i pafajshëm,” shtoi ai.

Ish-udhëheqësi tha gjithashtu se do të “vazhdojë të denoncojë këtë skandal gjyqësor”, por shtoi se nuk është për t’u mëshiruar, sepse "gruaja dhe fëmijët e mi janë pranë meje, dhe miqtë e mi janë të panumërt.”

Megjithatë, të martën në mëngjes, Sarkozy tha se ndjente “një trishtim të thellë për Francën, e cila gjendet e përulur nga shprehja e një hakmarrjeje që ka marrë një nivel të paprecedent urrejtjeje.”/L.F-dritare.net