
Prindër kujdes, sharjet dhe fyerjet e poshtërojnë fëmijën tuaj!
Dritare.net
Nga Lira Gjika
Një fëmijë që dëgjon prindërit, gjyshërit bashkë me mësuesit në shkollë, që vetëm i vënë në dukje mosarritjet pra, veprimet, sjelljen apo mënyrën e të folurit që ende nuk kanë marrë formën përfundimtare, e bën atë të ndihet i neveritur brenda vetes së tij.
Vetëvlerësimi, vetëbesimi dhe nderimi i vetes, aq të nevojshëm për tu bërë person më vete dhe njerëz të zotë pengohen për tu zhvilluar dhe për të fuqizuar personalitetin. Kur flasim me një fëmijë duhet të kemi gjithmonë parasysh që ai është një njeri që po rritet. Gjithçka tek ai është në proces rritje si nga ana fizike dhe nga ana psiqike. Të rriturit kur të flasin me fëmijën të përpiqen të jenë të qetë, nëse në çastin që ndodh një veprim apo fëmija përdor fjalë që nuk janë të hijshme, më mirë të mos flasin se sa të reagojnë nëpërmjet nervozizmit dhe padurimit.
Sharjet, fyerjet, kërcënimet nuk bëjnë gjë tjetër veçse trembin dhe poshtërojnë. Me fëmijën të rriturit duhet të komunikojnë nëpërmjet fjalës dhe përgjegjësisë nëse vërtet duan që fëmija e tyre të jetë nesër një individ dhe person më vete pa probleme të sjelljes, pra të shëndetit mendor. Mësuesit duhet të dallojnë arritjet dhe jo mosarritjet e nxënësve të tyre, dihet që mosarritjet janë më shumë.
Nëse do të arrijmë të mundim traditën, pra edukimin nëpërmjet frikës, ne ndihmojmë veten dhe fëmijët tanë për të qenë individë dhe persona të qetë. Prindërit dhe mësuesit duhet t’i tregojnë fëmijës dhe t’ia mesojnë me insistim se sjelljet dhe sidomos fjala e përdorur keq nuk tregon gjë tjetër veçse frikë për t’u bërë vetja.
Fjala na ndihmon ne të shkojmë drejt vetes ose të humbasim atë nëpërmjet fjalëve të të tjerëve./dritare.net

















