
Albana Koçiu merr drejtimin e Ministrisë së Brendshme, Rama kërkon ndryshim radikal
Dritare.net
Albana Koçiu është prezantuar sot nga kryeministri Edi Rama si ministrja e parë grua që merr drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në historinë e këtij institucioni.
Në fjalën e tij, Rama e cilësoi momentin si “historik” dhe theksoi se koha ka ardhur që kjo ministri të fokusohet tek të gjitha punët e brendshme të vendit, e jo vetëm tek Policia e Shtetit.
“Punët e brendshme nuk janë thjesht dhe vetëm punët e Policisë së Shtetit. Ministria e Brendshme nuk bën punë policore dhe ministri i Brendshëm nuk është kryepolici i vendit. Ndryshimi i profilit të ministrit të Brendshëm është pikënisja logjike e ndryshimit që duhet të ndodhë në këtë ministri”, tha Rama.
Ai shtoi se Koçiu vjen me një profil ndryshe nga paraardhësit dhe ka përpara një mision të qartë: ta shndërrojë Ministrinë e Punëve të Brendshme nga një institucion tradicionalisht i përqendruar tek policia, në një ministri që funksionon sipas standardeve europiane.
Kryeministri theksoi gjithashtu nevojën për adresimin e problemeve të mbetura prej dekadash, duke përmendur mes të tjerash mungesën e një sistemi funksional adresash në vend./L.F-dritare.net

















