Kryeministri Albin Kurti, politikani më i varfër në Kosovë!
Dritare.net
Nga: Nexhat Tovërlani
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar të dhënat e deklarimit të pasurisë të zyrtarët publikë për vitin 2024. Përveç deklarimit të zyrtarëve shtetërorë, këtë vit për herë të pasrë pasurin e kanë deklaruar edhe profesorët e mjekët. Sipas Agjencisë këtë vit pasurinë e kanë deklauar mbi 11 mijë zyrtarë publikë, por këtë nuk e kanë bërë edhe 20 për qind e policëve. Kryetari i AAK-së prinë me vlerën e pasurisë së deklaruar nga liderët e partive kryesore politike. Atij i afrohet presidentja Vjosa Osmani, ndërsa që kryeministri Albin Kurti ngelet mbrapa tyre dhe liderëve të tjerë shtetërorë e partiakë, me pasurinë pa ndryshime ndër vite
Afro 1 milion euro është pasuria e presidentes Vjosa Osmani dhe bashkëshortit të saj e deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Ajo bashkë me bashkëshortin kanë deklaruar një banesë të blerë mbi 59 mijë euro, garazh 6,000 euro, shtëpi 170 mijë euro, tokë 35 mijë euro, dy banime, siç i ka shënuar “në varg” – njëra e përbashkët në vlerë 190 mijë euro dhe tjetra 510 mijë euro. Osmani ka deklaruar po ashtu një veturë në vlerë 10 mijë euro në pronësi të bashkëshortit dhe dy kredi në vlerë prej 105 mijë eurove. Ndërkohë, të hyrat vjetore të Osmanit dhe bashkëshortit të saj janë mbi 70 mijë euro.
Vlera e pasurisë së kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, është afro gjysmë milioni euro. Ai ka deklaruar nëntë prona me vlerë rreth 300 mijë euro, tri banesa, një depo, një parking, si dhe një shtëpi e ndërtuar, tri prej të cilave në emër të tij e gjashtë në emër të prindërve.
Konjufca e ka të deklaruar edhe një veturë në vlerë 3,000 euro në pronësi të bashkëshortes. Konjufca ka shënuar në formular se i ka mbi 33 mijë euro kredi.
Kryeministri Albin Kurti, ka të deklaruar si pasuri të paluajtshme një banesë në pronësi të bashkëshortes në vlerë prej 400,000 eurosh dhe të blerë me kredi. Kurti ka deklaruar 1,551 euro kursime të tij dhe 2500 euro bashkëshortja. Kryeministri ka shënuar se bashkëshortja e tij i ka 220 mjijë euro kredi për blerjen e banesës. Ai ka shënuar pagë vjetore prej 19 mijë urove dhe pagën e bashkëshortes prej 528 mijë koronave norvegjeze ose mbi 44 mijë euro.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar një banesë me vlerë 120 mijë, të cilën thotë se e ka ndërruar me banesën paraprake. Ka një shtëpi të përbashkët me bashkëshorten, e cila ka vlerën 180 mijë euro. Pasuri të luajtshme e ka deklaruar një veturë në emër të bashkëshortes, të cilën thotë se e ka blerë me kredi. Vetura kap vlerën e 21 mijë eurove. Gjithashtu, ka deklaruar një bibliotekë (14 mijë euro) dhe një vepër arti (8 mijë euro), që janë në pronësi të përbashkët.
Kryetari i PDK-së posedon edhe afro 70 mijë euro në kriptovaluta dhe 3.394.37 euro kursime. Kurse në emër të bashkëshortes mbi 32 mijë euro.
Krasniqi ka kredi mbi 26 mijë euro për blerjen e shtëpisë dhe rinovimin e shtëpisë.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar një shtëpi me vlerë 200 mijë euro në emër të përbashkët me bashkëshorten dhe një shtëpi të trashëguar në emër të tij në vlerë 150 mijë euro, një tokë të trashëguar në vlerë 90 mijë euro. Vitin që shkoi, ka shtuar edhe një banesë në vlerë 260 mijë euro në emër të përbashkët me bashkëshorten, të cilën thotë se e ka blerë me kredi.
Ka deklaruar një veturë Mercedes në vlerë 25 mijë euro.
Abdixhiku i ka deklaruar 6,700 euro para të gatshme në bankë, ndërsa bashkëshortja 876 euro.
Ka detyrime financiare prej 2 mijë eurosh në emër të tij, mbi 25 mijë në emër të bashkëshortes dhe 110 mijë e 594 euro kredi e përbashkët.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar një shtëpi në vlerë 300 mijë euro, shtëpi tjetër 270 mijë euro të përbashkët me bashkëshorten, tokë 75 mijë euro, truall 27.300 euro, shtëpi 202 mijë euro, shtëpi tjetër 340 mijë euro dhe një vilë të përbashkët 120 mijë. Vetëm dy nga këto pasuri, kryetari i AAK-së ka deklaruar se i ka blerë me kredi.
Ka deklaruar një veturë në vlerë 19 mijë euro dhe një tjetër në emër të bashkëshortes në vlerë 8 mijë euro.
Haradinaj ka deklaruar se 50 për qind të aksioneve në shoqërinë tregtare “HCC sh.p.k”, dhe 50 për qind të tjera në emër të përbashkët.
Para të gatshme Haradinaj i ka deklaruar 16.180 euro që vijnë nga qiraja dhe paga. Kurse 58.882 euro para të gatshme janë deklaruar të bashkëshortes së tij.
Ka detyrime financiare prej 180 mijë eurove.
Pë herë të parë këtë vit deklarimin e pasurisë e kanë bërë edhe mjekët e profesorët universitarë.
Në Agjencinë Kundër Korrupsionit kanë bërë të ditur se mbi 11 mijë zyrtarë publikë e kanë deklaruar pasurinë. Por, në mesin e zyrtarëve këtë nuk e kanë bërë 20 për qind e policëve./KohaDitore