Marta Kos: Do ta sjell Shqipërinë në shtëpinë e saj, në Evropë
Dritare.net

Në Bruksel është hapur godina e Misionit të Shqipërisë në BE. Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet nga mbrëmja ceremoniale e hapjes së godinës, ku e pranishme ishte edhe Komisionerja për Zgjerim Marta Kos.
Nga ana e saj, Komisionerja Marta Kos vlerësoi ritmin e reformave të Shqipërisë, duke theksuar se vendi “po jep rezultate” dhe se progresi i bërë është “gjigant”. Ajo u shpreh se udhëheqja e vendosur dhe orientimi drejt së ardhmes përbëjnë një diferencë të madhe mes Shqipërisë dhe disa shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
"E ndjej veten... ndjesë, si ambasadoren e katërt të Shqipërisë këtu në Bruksel. Po ju po jepni rezultate. Arsyeja e dytë është se ju nuk po flisni vetëm, ju po realizoni. Ne shohim veprat. Nuk jua shpreh dot sa e lumtur jam kur kam mundësi të shpjegoj me fakte që ju keni bërë një përparim vërtet gjigant dhe është e gjitha falë punës suaj.
Më pëlqen gjithnjë ta theksoj, nuk ka asnjë proces anëtarësimi pa një udhëheqje të përkushtuar, që nuk i kthehet së shkuarës duke kërkuar të gjejë justifikime se pse diçka është e pamundur, por ju keni një udhëheqje ose keni një udhëheqës, i cili sheh nga e ardhmja që të shquajë apo të kërkojë arsyet e përgjigjet se pse diçka është e mundur. Ky është - dhe do thoja mos më citoni - ky është një nga dallimet më të mëdha midis Shqipërisë dhe disa shteteve të tjera nga Ballkani Perëndimor. Sigurisht, i dashur Kryeministër, i dashur Edi, e kam fjalën për ju dhe do ta mbyll duke thënë: “Kjo është shtëpia juaj e re”. Detyra ime është t’ju sjell ju, Shqipërinë, në shtëpi, në Europë.
Kryeministri Edi Rama vuri në dukje ndryshimin e klimës politike dhe institucionale në Bruksel ndaj Shqipërisë, duke thënë se atmosfera është sot “e ngrohtë, pozitive dhe e mbushur me energji”. Ai falënderoi ekipin shqiptar dhe partnerët europianë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.
Takimi u konsiderua një moment i rëndësishëm i konfirmimit të mbështetjes së BE-së për integrimin e Shqipërisë, teksa vendi vijon fazën e negociatave drejt anëtarësimit të plotë në Union.
"Dikur, kur vinim, binte shi e bënte ftohtë jashtë dhe binte shi e bënte ftohtë brenda. Tashmë është ndryshe. Çfarëdo të ketë jashtë, brenda bën ngrohtë dhe është plot energji pozitive, fytyra pozitive dhe buzëqeshje të këndshme. Nuk jemi mësuar me këtë, Marta, ndaj është e jashtëzakonshme më në fund ta përjetosh këtë gjë, që është e vazhdueshme gjatë gjithë vitit dhe po bëhet e përhershme. Dua t’ju falënderoj të gjithëve sinqerisht që jeni këtu dhe të falënderoj sinqerisht e me gjithë zemër për punën secilin prej jush", tha kryeministri./L.F-dritare.net