Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Marta Kos: Shqipëria, shembulli më i mirë i transformimit europian

Marta Kos: Shqipëria, shembulli më i mirë i transformimit

Shqipëria ka hapur zyrtarisht edhe grupkapitullin e fundit të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, duke shënuar një tjetër moment historik në procesin integrues. Lajmi u konfirmua nga Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e cila vlerësoi punën dhe përparimin e qëndrueshëm të vendit tonë.

Kos theksoi se ky hap është rezultat i drejtpërdrejtë i angazhimit të autoriteteve shqiptare për zbatimin e reformave kyçe dhe i mbështetjes së qytetarëve që kërkojnë ndryshim. Ajo u shpreh se Bashkimi Europian është plotësisht i përkushtuar që ta sjellë Shqipërinë në familjen europiane.

“Sot është një ditë e veçantë jo vetëm për Shqipërinë që hap të gjithë kapitujt, por edhe për BE. Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa angazhimin e Shqipërisë dhe mbështetjen e shteteve anëtare. Shqipëria është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të zgjerimit”, deklaroi Kos.

Ajo shtoi se hapja e të gjithë grupkapitujve është një arritje e rëndësishme, por sfida e vërtetë mbetet mbyllja e tyre përmes miratimit dhe zbatimit efektiv të legjislacionit europian. “Suksesi real matet me ritmin e zbatimit të reformave”, theksoi Komisionerja.

Me këtë hap, Shqipëria hyn në fazën përfundimtare të negociatave, duke u pozicionuar si një ndër vendet më të avancuara në rajon në procesin e integrimit europian./L.F-dritare.net