Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nana Kosovë, Nëna Shqipëri dhe Nënëmadhja Shqiptari!

Nana Kosovë, Nëna Shqipëri dhe Nënëmadhja Shqiptari!

Nga Bardhyl Reso

Mora shkas për këtë shkrim pasi lexova një artikull nga Berat Buzhala, mbi situatën politike që po kalon Partia Demokratike, të botuar në gazetën “Tema”. Një analizë për mendimin tim, mjaft objektive me konkluzionin se asnjë nga drejtuesit e dy grupeve nuk duhet të vihet në krye të kësaj force politike. Çdo analist apo gazetar ka të drejtë të parashtrojë mendimet e tij dhe të konkludojë sipas fakteve që ai ka grumbulluar. Pavarësisht se kandidaturat e propozuara nga ai nuk m’u dukën të spikatura dhe mbase për shumë lexues të tjerë, mund të mos jenë të pranueshme, kjo nuk justifikon në asnjë mënyrë fyerjet e rënda drejtuar gazetarit nëpër komente.

Nuk mund të ketë një debat pa ofendime? Disa prej tyre më lanë një shije tejet të hidhur, “S’ka ç’ju duhet ku kosovarëve të merreni me punët tona kur keni probleme në vendin tuaj…’ e banalitete të tjera që i shoh jo rrallë ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe anasjellas. Kjo retorikë e shëmtuar antikombëtare që ka marrë hov vitet e fundit i shërben vetëm anti-shqipëtarizmit që ushqen dashakeqësit e kombit shqiptar dhe sidomos në mënyrë të veçantë në rrethanat aktuale të zhvillimeve gjeo-politike në Ballkan që janë tejet të trazuara.

Më lejoni të kthehem mbrapsht në historinë e kombit shqiptar duke filluar që nga përpjekjet e Lidhjes së Prizrenit për të fituar pavarësinë. Këto ishin përpjekje të atdhetarëve nga Kosova, Shqipëria dhe nga të gjitha trojet e banuara nga shqiptarë kudo në Ballkan. Fatkeqësisht Shqiptarët nuk u përkrahën dhe nuk u përfillën pasi ishin të rrethuar nga fqinjë që vetëm kërkonin copa të saj dhe nga indiferenca e fuqive të mëdha të cilat mundoheshin të ndiqnin politika sipas interesave të tyre ndaj një perandorie që kishte ende influence në Ballkan. Jo vetëm kaq,por pas Luftës Ruso-Turke në vitin 1878, në mënyrë arbitrare e krejt të padrejtë Shqipëria u copëtua duke iu aneksuar Malit Të Zi, Serbisë dhe Greqisë. Ajo u shoqërua me deportimin e egër të shqiptarëve nga vendbanimet e tyre shekullore që shtriheshin deri në afërsi të Nishit. Ngjarjet e mëvonshme historike vijuan të dobësonin pozitat e kombit shqiptar duke ia zvogëluar gjithnjë e më shumë kufijtë dhe shqiptarët duke emigruar në Turqi ose duke u postuar drejt perëndimit.

Gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit 20-të, në Perandorinë Osmane dhe në Ballkan ndodhën ngjarje të rëndësishme për fatin e kombit shqiptar. Ne vitin 1908, drejtimin e Perandorisë Osmane e morën XhonTurqit ( Turqit e Rinj). Megjithëse ata erdhën me programe reformatore, në lidhje me Shqipërinë, mendësia e tyre mbeti e pandryshuar. Përpjekjet dhe kërkesa e shumë patriotëve shqiptarë nga të gjitha trojet e Shqipërisë, për të lejuar krijimin e një Krahine Autonome të përbërë nga pesë vilajete që banoheshin kryesisht nga shqiptarë, Prizren, Gjakovë, Shkodër, Shkup dhe Janinë, ndonëse nën varësinë e Perandorisë Osmane, nuk e bindi Parlamentin turk, ndonëse kishte dhe anëtarë që përkrahën këtë kërkesë. Ky do të ishte embrioni i parë i shtetit shqiptar dhe madje një çështje e lehtë dhe e drejtë për t’u diskutuar edhe me fuqitë e mëdha europiane pasi justifikohej me përqindjen e lartë të shqiptarëve që banonin në këto troje. Aso kohe në Shkup banonin rreth 70% shqiptarë, 20% turq dhe rreth 10% sllavë. E njëjta situatë ishte edhe në Janinë e me radhë.

Luftërat Ballkanike më pas të nxitura nga sllavët e grekët dhe të përkrahura nga fuqitë europiane për rrënimin e Perandorisë Osmane dhe për të marrë nën kontroll zotërimet e saj në Lindjen e Afërt (Liban Siri, Irak, Qipro, Palestinë etj), bënë më në fund të mundur që në 1912, të krijohet shteti i pavarur shqiptar dhe kjo falë bashkëpunimit të jashtëzakonshëm të atdhetarëve kosovarë e shqiptarë si Isa Boletini, Hasan Prishtina, Ismail Qemali e patriotë të tjerë si dhe përkrahja e Austro-Hungarisë dhe Italisë, të vetmet shtete europiane që ndihmuan më shumë në krijimin e shtetit shqiptar. Megjithatë fati i shtetit të brishtë vendosej në arena ku kishte më shumë armiq se sa përkrahës. Copëtimi i Shqipërisë vazhdoi dhe u kurorëzua në Konferencën e Londrës në vitin 1913 ku u lanë jashtë kufijve Kosova si dhe trojet e banuara me shqiptarë në Maqedoni e Greqi. Mbarimi i Luftës së Parë Botërore dhe Konferenca e Paqes në Paris , me gjithë përkrahjen pro-shqiptare të Presidentit Amnerikan Wilson, përcaktoi krijimin e kufijve e shteteve të reja në Europë e Ballkan të cilat vazhduan deri në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 20-të.

Ky copëtim ka qenë masakra më e madhe që i është bërë Shqipërisë. Krijimi i Jugosllavisë me 80% kombësi sllave si serbë, kroatë, boshnjakë, bullgarë, maqedonas e pjesa tjetër shqiptarë që banonin në trojet e tyre dhe pak turq të mbetur nga pushtimi Osman qe një nga gabimet më dëmprurëse. Ndonëse në më pak se 100 vjet ky shtet u shpërbë, mbetet një nga faktorët më destabilizues në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në Jugosllavinë e viteve 1920-të nisi deportimi me forcë me mënyra nga më të ndryshmet i shqiptarëve të konsideruar turq apo myslimanë dhe të njëjtën politikë filluan edhe shovinistët Vorio-Epiriotë grekë, veçanërisht në Çamëri duke bërë shkëmbime të popullsisë shqiptare myslimane me grekë orthodoksë që jetonin në Turqi, që kanë vazhduar me dekada. Nga ana tjetër kishat sllave dhe greke nxisnin urrejtje fetare si për shqiptarët myslimanë ashtu dhe për ata katolikë. U desh të kalonin edhe 50 vite të tjera drejt demokratizimit të vendeve ish-komuniste te Europës Lindore, shpërbërja e Bashkimit Sovjetik që të fillojë një farë arsyetimi të klasifikimit të popujve sipas përkatësive etnike.

U ndanë shtete të vjetra e u krijuan shtete të reja. Po kështu ndodhi dhe me ish Jugosllavinë por që në sajë të politikës pro serbe të Millosheviçit e çoi vendin në një luftë civile të përgjakshme. Luftë e cila solli dhe krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës që ende nuk njihet nga Serbia e Rusia.

Në këto rrethana sa më shumë përkrahje politike, ekonomike dhe sociale të ketë mes Shqipërisë dhe Kosovës, sa më pak mospajtime e fyerje për skena televizive e interesa vetjake partiake që dëmtojnë imazhin e shqiptarizmit, aq më e vështirë bëhet përçarja dhe minimi i të ardhmes së kombit tonë në tërësi. Kemi shumë për të bërë dhe në të njëjtën kohë vazhdojnë të na verbojnë mendësitë e vjetra. Përpjekjet tona duhet të fokusohen në forcimin e dy shteteve tona sepse konsolidimi i tyre ekonomik dhe politik do të realizojë ëndrrën e gjyshërve atdhetarë për një shtet të gjithë shqiptarëve në trojet e tyre në Ballkanin Perëndimor.

Si mund ta shohim njëri tjetrin si dy shtete të huaja pa asnjë gjë të përbashkët e të shprehemi “Mos i futni hundët në punët tona”?!? Gjithçka shqiptare janë Punët Tona!! Të mësojmë nga sukseset dhe dështimet e njëri tjetrit, të reflektojmë nga gabimet tona në çdo aspekt, qoftë ekonomik, politik apo social. Të bashkëpunojmë në të gjitha fushat për ta fortifikuar historinë dhe kulturën tonë të përbashkët.

Një hap mjaft i rëndësishëm ishte njësimi i Abetares së Gjuhës Shqipe dhe pse jo të punohet edhe për një enciklopedi mbarëshqiptare. Të mos kritikojmë vend e pa vend e të fyejmë rëndë për hir të një show televiziv apo për interesa meskine të një bajraktarizmi fanatik të trashëguar nga Kanuni. Kemi fatin e një përkrahje të paparë në historinë e kombit tonë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar si dhe të shumë shteteve të fuqishme Europiane. Le t’u tregojmë se ne e meritojmë vendin krah tyre drejt një shoqërie sa më të emancipuar e dinjitoze.

Nana Kosovë dhe Nëna Shqipëri janë nëna biologjike të shqiptarëve ndërsa Nënë Madhja Shqiptari është shpirti që mban jetën e kombit shqiptar ne të gjitha trojet shqiptare. Ky duhet të jetë motivi që duhet të udhëheqë mendësinë e çdo shqiptari para se të hedhë hapin dhe fjalën drejt çdo aspekti të çështjeve shqiptare./dritare.net