
Pa blegtori nuk ka bujqësi, pa bujqësi nuk ka ushqim! Apeli i Aleksandër Jorgaqit për Shqipërinë që po braktis tokën
Dritare.net
Në një intervistë të gjatë dhe të thellë për emisionin Shqip në Dritare TV me gazetaren Rudina Xhunga, veterineri 92-vjeçar Aleksandër Jorgaqi, ish-drejtor i ndërmarrjes bujqësore të Roskovecit, bëri një analizë të fortë mbi lidhjen jetike mes bujqësisë dhe blegtorisë.
“Nuk mund të kesh bujqësi të shëndetshme pa blegtori,” – tha z. Jorgaqi.
“Domatja që rritet me plehun organik të lopës, ka shije tjetër. Po s’kemi më blegtori, s’kemi më as pleh organik. Serat sot mbahen me kimikate, sepse stallet janë bosh.”
Ai shtoi se mungesa e blegtorisë ka pasoja zinxhir në cilësinë e ushqimit, në çmimet, në shëndetin e qytetarëve dhe në zhvillimin e turizmit elitar:
“Turisti nuk vjen për të ngrënë qumësht pluhur apo pula që s’kanë parë dritën e diellit,” – theksoi Jorgaqi. “Vjen për shijen e vërtetë shqiptare, dhe kjo shije nuk rikthehet pa blegtori.”
Në këtë intervistë, Jorgaqi bën apel për një vizion të ri kombëtar, që ta trajtojë bujqësinë dhe blegtorinë si një trup të vetëm.
“Një kompleks blegtoral nuk mund të funksionojë pa tokën që prodhon forazhin, dhe toka nuk mund të jetë e begatë pa plehun organik të blegtorisë,” – tha ai.
Sipas tij, vetëm me mbështetje për investitorët privatë, përjashtime nga taksat, dhe rikthimin e bashkëpunimit të madh bujqësor, Shqipëria mund të ringrejë blegtorinë dhe bujqësinë.
“Toka dhe kafsha janë të lidhura. Si fryma me trupin. Po ndave, i ke vrarë të dyja,” përfundoi Jorgaqi.

















