Nga numri i ulët i prokurorëve tek rritja e kriminalitetit! Olsian Çela flet në Kuvend!
Dritare.net

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka raportuar për të dytën herë bilancin e punës së kryer nga Prokuroria e Përgjithshme për vitin 2024, kësaj radhe në Kuvendin e Shqipërisë. Fillimisht raporti është prezantuar në Komisionin e Posaçëm të Ligjeve, ndërsa sot Çela do t’i përgjigjet dhe pyetjeve të ligjvënësve.
Raportimi nis me mungesën e theksuar të prokurorëve si dhe me volumin e lartë të çështjeve që institucioni po përballet. Çela e ka cilësuar vitin 2024 kompleks, pikërisht për këto arsye, të cilat ia faturon procesit të vettingut.
“Viti 2024, ashtu si dhe paraardhësi, vijoi të ishte mjaft kompleks për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të vijimit të punës me një numër të ulët të prokurorëve si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar. Megjithatë, përpjekjet dhe profesionalizmi i prokurorëve në të gjithë nivelet, pavarësisht ngarkesës, bashkëpunimi dhe koordinimi shumë i mirë institucional me Prokurorinë e Posaçme dhe Policinë e Shtetit, si dhe intensifikimi e përmirësimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërkombëtar, dhanë rezultate në punën hetimore, zbatimin dhe përmirësimin e drejtësisë penale, siç do të shihet në këtë raport”, tha Çela.
Krahasuar me vitin 2023, prokuroria ka shqyrtuar 61167 materiale, 10.52% më shumë. Janë ndjekur gjithsej 47576 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 4,79 % në krahasim me vitin 2023, nga të cilat: 24956 janë procedime penale të regjistruara, 22441 janë procedime penale të mbartura dhe 179 janë procedime penale të rifilluara. Numri më i lartë i çështjeve janë regjistruar në Prokurorinë e Tiranës.
“Sa i përket tendencave të kriminalitetit, procedimet për veprat penale kundër pastrimit të parave, tregojnë rritjen më të lartë prej gati 59 %, ato për falsifikim të monedhave dhe letrave me vlerë 48 %, krimet në fushën e doganave afër 40 % si dhe veprat penale në lidhje me veprimtaritë bankare dhe financiare mbi 33 %”, tha Çela.
Në total prokuroria ka marrë 13062 kërkesa për vendosjen e masave të sigurimit personal. Për rreth 59.5% të çështjeve është caktuar masa e sigurisë ‘arrest me burg’, rritje kjo në shifra krahasuar me vitin 2023.
Prokurori raporton se për vitin 2024 ka pasur një rritje të ndjeshme ndaj krimeve me dashje kundër jetës.
“Numri më i lartë i procedimeve të regjistruara për krime kundër jetës të kryera me dashje është në Tiranë, regjistruar përkatësisht rreth 30 % e totalit, Korçë 12 %, Durrës 10 %, Fier dhe Lezhë 8 %, Elbasan 6%, Vlorë 5%, ndërsa vërehet se numri më i ulët i procedimeve të regjistruara është në Dibër, me rreth 1 %,” tha Çela.
Gjithashtu është konstatuar dhe rritje e vrasjeve me dashje. Për vitin 2024 kjo vepër penale zë 12.46% ndërsa për vitin 2023, ishte vetëm 4.83%.
“Në vitin 2024 janë regjistruar 44 procedime për këtë vepër, që përbëjnë një rritje prej 3,14 herë krahasuar me 14 procedime të regjistruara në vitin 2023.Tendencë të fortë rritje ka pasur edhe vepra penale e “vrasjes me paramendim”, pasi janë regjistruar 31 procedime penale që krahasuar me 15 procedime të regjistruara në vitin 2023, që përbën një rritje prej 2 herë”, tha Çela.
Prokuroria e Përgjithshme thekson dhe intensifikimin e kontakteve me ndërkombëtarët, kryesisht me autoritetet belge dhe ato holandeze për vepra penale në fushën e pastrimit të produkteve penale dhe krimeve të rënda.
Olsjan Çela bën me dije se bashkëpunimin ne LGJ dhe Ministrinë e Drejtësisë, për përmirësimin e infrastrukturës për prokuroritë. Projekti është përfunduar ndërsa një kerkesë është depozituar në Ministrinë e Drejtësisë për sigurimin e sheshit të ndërtimit të godinës së re, ndërsa kërkon që të saktësohet çështja e financimit dhe e terrenit.
Gjithashtu një tjetër problem është dhe çështja e arkivimit të dosjeve, për të cilën prokurori thotë se situata sa vjen dhe rëndohet.
“Problem urgjent që mbetet për t’u zgjidhur është ai që lidhet me arkivat, ku situata vazhdon të rëndohet, edhe pse nga ana jonë janë marrë masa administrative në këtë drejtim. Vlerësoj se ka nevojë për ndërhyrje ligjore në lidhje me përcaktimin e saktë të periudhës së ruajtjes së dosjeve penale, sipas praktikave më të mira evropiane, si dhe për marrjen e masave ndërinstitucionale adeguate për sigurim të infrastrukturës që do të mundësojë ruajtjen e tyre”, tha Çela./dritare.net