Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nis viti i ri shkollor në të gjithë vendin

Nis viti i ri shkollor në të gjithë vendin

Më 8 shtator ka nisur zyrtarisht viti i ri shkollor në Shqipëri. Rreth 345 mijë nxënës janë ulur në bankat e shkollës, mes tyre 26.500 për herë të parë, ndërsa 31 mijë mësues janë angazhuar për zhvillimin e procesit mësimor.

Ministria e Arsimit ka njoftuar disa risi dhe masa mbështetëse:

2,260 mësues ndihmës për nxënësit me aftësi të kufizuara (150 më shumë se një vit më parë);
Transport falas për 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues;
3,500 bursa për nxënësit në nevojë;
Hapja e 30 shkollave të reja/rehabilituara dhe 340 laboratorë SMART;
236 mijë nxënës të pajisur me libra falas.

Në aspektin e sigurisë, Policia e Shtetit ka hartuar një plan për rritjen e pranisë së efektivëve pranë shkollave dhe mbylljen e pikave ambulante që tregtojnë produkte të ndaluara. Aktualisht janë vetëm 60 oficerë sigurie, ndërsa deri në tetor pritet të jenë aktivë 400 të tillë pas trajnimit.

Një risi është edhe udhëzimi mbi përdorimin e celularëve: nxënësit mund t’i marrin me vete vetëm me lejen e prindit, por gjatë orës mësimore duhet të jenë të fikur dhe të dorëzohen në kutinë e posaçme në klasë. Shkeljet sjellin sekuestrimin e aparatit nga drejtoria.

Gjithashtu, është miratuar Kodi i ri i Etikës për mësuesit, i cili përcakton rregulla mbi sjelljen, marrëdhëniet me nxënësit e prindërit, përdorimin e rrjeteve sociale dhe paraqitjen e jashtme.