
Pse Altin Dumani nuk mund të jetë më kreu i SPAK-ut!
Dritare.net
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) do të hapë garën për drejtuesin e ri të SPAK-ut, pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit, i cili ligjërisht nuk mund të kandidojë përsëri.
Të ftuar në emisionin dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV, juristja Mirela Jorgo dhe gazetari Dritan Laçi, diskutuan lidhur me këtë proces dhe sfidat që do të ketë drejtuesi i ri i SPAK.
Mirela Jorgo theksoi rëndësinë e këtij momenti:
“Hapja e garës është një moment i rëndësishëm. Kur flasim për Altin Dumanin, duhet të kujtojmë se ai ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë. Ka kryesuar task-forcën kundër korrupsionit në vitin 2008 dhe ka trajtuar dosje të nivelit të lartë.”
Ajo shtoi se bilanci profesional i Dumanit është i qëndrueshëm dhe ka marrë mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar, si ish-ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe DASH-i. Jorgo foli edhe për ndikimin e opinionit publik dhe politikës:
“Opinioni publik ka ndikim, por politika nuk ka qëllim të dëmtojë Altin Dumanin. Puna e tij ka prekur shumë zyrtarë të lartë, por kjo tregon forcën dhe integritetin e tij profesional.”
Dritan Laci theksoi kufizimin ligjor që e pengon Dumanin të kandidojë përsëri:
“Fatkeqësisht, Altin Dumani nuk mund të kandidojë për një mandat tjetër, sepse ligji e pengon këtë. Një jurist nuk mund të ketë dy mandate për SPAK-un. Kjo është e qartë dhe duhet respektuar."
Sfida e drejtuesit të ri do të jetë të ruajë vazhdimësinë dhe të përmirësojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,” tha Jorgo.
“Drejtuesi i ri duhet të ketë qasje të butë, por vendimtare, duke ruajtur standardet e larta të institucionit,” përfundoi ajo./K.C/dritare.net

















