
Marrëdhënia me njerëzit më jep ankth. Këshilla e psikologes!
Dritare.net
Përshëndetje Dritare.net dhe Psikologe Enertila
Unë që po ju drejtohem jam një zonjë që kam shumë vite me gjendjen time, mundohem ta kaloj vetë por më mundon shumë. Problemi im është se komunikimi me njerëzit ndonjëherë më bëhet ankthioz. Shpesh kam pasiguri dhe ankth në marrdhënie me të tjerët. Gjendja ime më kufizon shumë. Ju lutem më jepni një këshillë.
Psikologe Enertila Bekteshi përgjigjet
Përshëndetje lexues të Dritare.net
Marrëdhëniet njerëzore janë një burim gëzimi por ato mund të bëhen gjithashtu një terren për pasiguri dhe frikëra të thella. Ndryshe nga lidhja e sigurt lidhja ankthioze përfshihet nga pasiguri dhe nevojë për mbështetje të vazhdueshme. Njerëzit me këtë stil janë të ndjeshëm ndaj kërkimit të vazhdueshëm të sigurisë në marrëdhëniet e tyre. Kjo lloj stili sjelljeje shpesh shoqërohet nga një frikë e thellë nga vetmia ose braktisja e papritur.
Kjo lloj situate shprehet përmes sjelljeve kontradiktore një dëshirë intensive për afërsi shoqërohet me zemërim ose frustrim kur nuk merret vëmendja e dëshiruar. Ky stil mund të çojë në marrëdhënie të karakterizuara nga konflikte të shpeshta dhe vështirësi në rregullimin e emocioneve. Vështirësia kryesore qëndron në aftësinë për të gjetur një ekuilibër midis nevojës për afërsi dhe frikës së refuzimit. Lidhja ankthioze ka rrënjë në përvojat e fëmijërisë, traumat dhe faktorët social. Adresimi i pasojave të lidhjes ankthoze kërkon një proces ndërgjegjësimi dhe ndryshimi.
Mbështetja psikologjike dhe psikoterapia mund të ndihmojnë e dashur lexuesja jonë por në këndvështrimin tim të kuptuarit e origjinës së kësaj gjendje do t’ju ndihmojë si fillim për ta ndihmuar veten tuaj sadopak. E dashur lexuesja jonë zhvilloni strategji për të menaxhuar pasigurinë dhe frikën e braktisjes kjo mund të nxisë autonominë emocionale dhe të përmirësojë aftësinë për të vendosur kufij të shëndetshëm gjithashtu ndihmon në uljen e ankthit relacional, dhe i jep një kuptim më të mirë të emocioneve dhe nevojave autentike të tua.
E dashur lexuesja jonë zhvillimi i aftësisë për të shprehur nevojat dhe ndjenjat qartë dhe me respekt është thelbësor për krijimin e marrëdhënieve më të ekuilibruara. Zvogëlimi i varësisë nga të tjerët për vetëvlerësimin është një qëllim thelbësor për ata që dëshirojnë të kapërcejnë lidhjen ankthioze. Eksplorimi i së kaluarës suaj dhe kuptimi i ndikimit të saj në marrëdhëniet aktuale mund të hapë rrugën për ndryshime të rëndësishme. Të kuptuarit dhe adresimi i lidhjes suaj ankthioze mund të jetë një nga mjetet më të fuqishme për të krijuar marrëdhënie autentike dhe të gjalla. Procesi kërkon kohë dhe përkushtim, por përfitimet mund ta transformojnë thellësisht cilësinë e jetës suaj. Shpresoj shumë që këndvështrimi im t’ju ndihmojë sadopak në gjendjen tuaj. Gjithë të mirat!/dritare.net

















