Rama: Bashkitë duhet të përgatiten për sfidat e anëtarësimit në Bashkimin Europian
Dritare.net

U prezantua këtë të premte programi “EU4Municipalities II”, një nismë e mbështetur nga Bashkimi Europian që synon forcimin e pushtetit vendor në Shqipëri dhe rritjen e kapaciteteve të bashkive në funksion të procesit të integrimit europian.
Programi zbatohet nga GIZ në bashkëpunim me rrjetin e shoqatave të autoriteteve vendore të Europës Juglindore dhe Shoqata Kombëtare e Bashkive. Projekti synon të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm të qeverisjes vendore përmes investimeve në infrastrukturë, modernizimit të shërbimeve bashkiake dhe forcimit të kapaciteteve institucionale.
Në aktivitetin prezantues mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi programin si një investim strategjik të Bashkimit Europian për të përgatitur bashkitë shqiptare për sfidat e anëtarësimit në BE.
Rama theksoi se konsolidimi i qeverisjes vendore është pjesë thelbësore e funksionimit të një shteti anëtar të Bashkimit Europian dhe nënvizoi rëndësinë e rritjes së kapaciteteve njerëzore në administratën vendore.
“Ky program nuk është thjesht një mbështetje financiare. Ai është një instrument kyç për të ndihmuar bashkitë shqiptare të rrisin aftësinë për të aksesuar dhe menaxhuar fondet europiane”, deklaroi kreu i qeverisë.
Kryeministri u ndal edhe tek sfida e digjitalizimit në nivel vendor, duke pranuar se ekziston një diferencë e madhe mes shërbimeve digjitale të administratës qendrore dhe atyre të bashkive.
“Kemi një diferencë të papranueshme mes peshës që ka digjitalizimi në nivelin qendror dhe në nivelin vendor”, u shpreh Rama, ndërsa bëri thirrje që bashkitë ta përdorin projektin jo vetëm si mundësi financimi, por edhe si një mundësi për të krijuar eksperiencë dhe për të forcuar kapitalin njerëzor.
Programi “EU4Municipalities II” pritet të ndihmojë bashkitë shqiptare në përgatitjen e projekteve për financime europiane, modernizimin e administratës vendore dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët./L.F-dritare.net