Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Zbardhen vendimet e reja të qeverisë!

Zbardhen vendimet e reja të qeverisë!

Ministri i Financave, Petrit Malaj, dhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, kanë bërë të ditura vendimet e fundit të marra në mbledhjen e qeverisë. Malaj njoftoi ndryshime në skemën e dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë, duke theksuar se do të përshpejtohet procesi i pagesave dhe do të synohet shlyerja e plotë e një pjese të dosjeve brenda disa viteve.

Ndër të tjera, ai sqaroi se për pagesat deri në 1 milion lekë do të aplikohet kësti i radhës, ndërsa koha ndërmjet pagesave pritet të shkurtohet ndjeshëm. Sipas tij, këto ndryshime do të kërkojnë edhe rritje të fondit për dëmshpërblime.

“Miratuam një ndryshim që lidhet me dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Ndryshimet e propozuara nga Ministria e Financave së pari konsistojnë në heqjen e dëmshpërblimit të kësteve, nga ana tjetër kemi marrë vendimin që për të gjitha ato pagesat që janë deri në 1 milionë lekë, do të bëhen pagesat me këstin e radhës. Nëpërmjet këtyre ndryshimeve, ministria parashikon që brenda 4-5 viteve të bëjmë shlyerjen e plotë të 6 mijë dosjeve, nga 10 mijë e 360 që janë në total. Këto ndryshime kanë edhe disa avantazhe të tjera. Lidhet me procesimin e pagesave. Nëse sot kemi një procesim pagesash nga kësti në këst, me ndryshimet, koha e pagesave ndërmjet kësteve do të shkurtohet nga 2-2,5 vjet. Këto ndryshime do të sjellin nevojën për të shtuar fondin për dëmshpërblimin ndaj ish-të përndjekurve politikë, që për vitin 2016 është në masën 15 milionë euro”, tha ndër të tjera Malaj.

Nga ana tjetër, ministri Ervin Demo njoftoi zgjerimin e “Paketës së Maleve” me tre bashki të reja: Delvinë, Konispol dhe Pogradec. Ai tha se procesi i aplikimeve nga qytetarët po avancon në shumicën e bashkive dhe pritet të përmbyllet brenda muajit maj.

“Sapo kemi miratuar tre bashki të reja për Paketën e Maleve: Delvinë, Konispol dhe Pogradec. Në pjesën më të madhe të bashkive ka avancuar aplikimi nga qytetarët. Javët që do të kemi përpara besoj do të jenë bashkitë e fundit dhe brenda majit do të kemi përfunduar me të gjitha bashkitë”, u shpreh Demo./K.C/dritare.net