Kate Middleton rikthehet në skenën ndërkombëtare pas betejës me kancerin, vizitë zyrtare në Itali
Dritare.net

Catherine, Princesha e Uellsit, do të zhvillojë javën e ardhshme udhëtimin e saj të parë zyrtar jashtë vendit që pas përfundimit të trajtimit ndaj kancerit. Lajmi është bërë i ditur nga Pallati Kensington, i cili konfirmoi se princesha do të udhëtojë në Itali për një vizitë dyditore pune.
Kate do të vizitojë qytetin verior italian të Reggio Emilia, ku do të fokusohet në projektet që lidhen me zhvillimin dhe edukimin në fëmijërinë e hershme, në kuadër të fondacionit “Royal Foundation Centre for Early Childhood”, të cilin e themeloi në vitin 2021.
Gjatë qëndrimit të saj, princesha pritet të takohet me edukatorë, prindër, fëmijë dhe drejtues komunitetesh për t’u njohur nga afër me metodën e njohur edukative “Reggio Emilia Approach”. Kjo filozofi arsimore, e njohur në mbarë botën, e konsideron fëmijën si figurë aktive në procesin e të mësuarit dhe promovon zhvillimin përmes marrëdhënieve njerëzore dhe kontaktit me natyrën.
“Princesha mezi pret të vizitojë Italinë dhe të shohë nga afër se si qasja Reggio Emilia krijon mjedise që mbështesin zhvillimin e fëmijëve,” thuhet në deklaratën e Pallatit Kensington.
Ky do të jetë udhëtimi i parë ndërkombëtar i Kate Middleton që prej vitit 2022, kur ajo mori pjesë së bashku me Princin William në ceremoninë e “Earthshot Prize Awards” në Boston, SHBA.
Princesha kaloi pjesën më të madhe të vitit 2024 duke u përballur me problemet shëndetësore, ndërsa në janar të vitit të kaluar bëri të ditur se ishte në remision pas trajtimit me kimioterapi. Kohët e fundit ajo është rikthyer gradualisht në angazhimet mbretërore me aktivitete të ndryshme brenda Mbretërisë së Bashkuar./L.F-dritare.net