Tubimi i PD para Kryeministrisë/ Zonat ku nuk do ketë qarkullim!
Dritare.net

Policia e Tiranës ka njoftuar masa të posaçme sigurie dhe kufizime në qarkullim, në kuadër të një tubimi të paralajmëruar nga Partia Demokratike e Shqipërisë, i cili do të zhvillohet më 8 maj 2026 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë.
Sipas njoftimit, në zbatim të ligjit “Për tubimet”, strukturat e rendit kanë marrë të gjitha masat për garantimin e mbarëvajtjes së protestës, duke parashikuar edhe bllokime të përkohshme të disa akseve kryesore rrugore në kryeqytet.
Kufizimet do të nisin që në orët e vona të mbrëmjes së 7 majit, me ndalimin e parkimit dhe qarkullimit në segmentin nga “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”, ndërsa më 8 maj, nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokime të lëvizjes në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në disa rrugë përreth si “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia u ka bërë thirrje organizatorëve të respektojnë kushtet e vendosura për zhvillimin e tubimit, ndërsa qytetarëve u kërkohet mirëkuptim për kufizimet e përkohshme në qarkullim. Po ashtu, theksohet rëndësia e shmangies së çdo veprimi që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike gjatë protestës./K.C/dritare.net