Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama me fermerët: Nuk zhvillohet bujqësia me subvencione, bashkitë të ndërhyjnë

Rama me fermerët: Nuk zhvillohet bujqësia me subvencione,

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim të zgjeruar me fermerë dhe sipërmarrës të sektorit bujqësor, ku kritikoi ashpër qasjen e deritanishme të pushtetit vendor ndaj zhvillimit rural. Sipas tij, kryetarët e bashkive e shohin fshatin vetëm si çështje infrastrukture, ndërkohë që mungon vizioni për ta kthyer atë në një motor zhvillimi ekonomik.

"Ende nuk kemi asnjë ndërmarrje bujqësore të krijuar përmes bashkëpunimit mes fermerëve dhe pushtetit vendor. Duhet një kthesë në këtë drejtim," u shpreh Rama.

Ai theksoi se qëllimi i takimit ishte të dëgjohej nga afër zëri i fermerëve, për të kuptuar sfidat reale në terren dhe për të krijuar një mekanizëm të ri bashkëpunimi që garanton zgjidhje konkrete.

“Buxheti nuk është përgjigjja për sfidat që kemi. Nuk është çështje subvencionesh. Me subvencionet thjesht mbijetojmë, por nuk zhvillohemi. Ne kemi vendosur në dispozicion një linjë kredie prej 250 milionë eurosh, e garantuar nga shteti, për projekte konkrete në fshat. Bashkitë duhet të marrin rol udhëheqës për të ndërtuar projekte dhe shoqëri të përbashkëta,” deklaroi Kryeministri.

Rama theksoi se fermerët nuk duhet të mbështeten vetëm te fondet vjetore të shtetit, por të shohin përtej, drejt bashkëpunimit dhe organizimit të strukturuar. Ai premtoi ndërtimin e një platforme të qëndrueshme komunikimi me aktorët e sektorit rural, për të garantuar që politikat e ardhshme të bujqësisë të bazohen në realitetin e fshatit dhe në nevojat konkrete të atyre që jetojnë e punojnë aty./L.F-dritare.net