Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama: Çmimet e banesave janë sfidë e Evropës. Ja zgjidhja që do u japim çifteve të reja!

Rama: Çmimet e banesave janë sfidë e Evropës. Ja zgjidhja

Gjatë konferencës së fundvitit, kryeministri Edi Rama u pyet nga gazetarja e DritareTV, Lorena Fjolla për sfidat e të rinjve dhe çifteve të reja në Tiranë lidhur me mundësinë për të blerë një banesë. Rama theksoi se sfida e banesave të përballueshme nuk është vetëm shqetësim shqiptar, por një fenomen që prek të gjithë Evropën dhe Ballkanin.

Lorena Fjolla nga Dritare TV: “Zoti Rama, ju keni folur për rritjen ekonomike, por ne e ndjejmë pak të vështirë këtë në xhepat tanë. Flas për mundësinë që ne, të rinjtë, të blejmë një banesë në Tiranë. Aktualisht, me çmimet e larta në kryeqytet, është bërë e pamundur të blejmë një shtëpi ose të shlyejmë një kredi, pavarësisht edhe nga kreditë e buta të Bashkisë së Tiranës. A ka qeveria shqiptare një iniciativë apo ndihmë për të rinjtë, çiftet e reja, që duan të krijojnë familje dhe të jetojnë në vendin e tyre?”

Edi Rama: “Së pari, duhet ta vendosim këtë në kontekst. Nuk jemi origjinalë apo të veçantë për këtë, sepse këtë dhjetëvjeçar kemi bërë një kapërcim të jashtëzakonshëm në çdo aspekt. Për këtë arsye kemi vendosur një pozicion tjetër, edhe në nivel ndërkombëtar dhe rajonal.

Rritja ekonomike ndihet, sepse paga juaj, ajo e deklaruar, është më e lartë, dhe kur shtojmë edhe të padeklaruarat që shumë prej jush i keni, bëhet edhe më e lartë. Çështja e kostos së banesave është e madhe në të gjithë Evropën dhe në Ballkan. Shkoni kudo në rajon dhe do ta shihni të njëjtën gjë. Nuk ekziston sot një i ri në Evropë me një pagë normale që të ketë mundësi të blejë një banesë pa ndihmë.

Për këtë arsye, qeveritë kanë provuar shumë mekanizma për banesën e përballueshme. Ju keni mundësi të keni akses në tregun e banesave, thjesht duke iu referuar punës suaj. Po për këtë arsye po bëjmë këtë reformë dhe shumë shpejt do të prezantojmë Agjencinë e re për Planifikim, Zhvillim dhe Strehim.

Po punojmë me disa formula që do na lejojnë të hapim një rrugë për strehimin e përballueshëm, kryesisht për kategori të caktuara, si çiftet e reja. Natyrisht, do të ketë disa kritere, por po bëjmë çmos që ta realizojmë këtë dhe besoj se brenda pak vitesh do të shohim rezultate konkrete. Ky është qëllimi, dhe jam i bindur se edhe këtu do ia dalim. Sepse ne ia kemi dalë dhe do ia dalim në çdo gjë që kemi premtuar. Është thjesht çështje kohe.”, iu përgjigj Rama pyetjes së gazetares së DritareTV./K.C/dritare.net