Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Si është situata e përmbytjeve në të gjithë vendin!

Si është situata e përmbytjeve në të gjithë

Gjatë natës, të gjitha strukturat vendore dhe ekipet operacionale kanë vijuar punën në terren për normalizimin e situatës në zonat e prekura nga reshjet intensive, për sigurimin e akseve rrugore dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike. Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mbeten në gatishmëri të plotë, duke monitoruar nga afër çdo zhvillim.

Qarku Lezhë

Në bashkinë Kurbin vijon puna për normalizimin e situatës në fshatrat Gjorm, Zhejë dhe Fushë Mamurras. Rruga në fshatin Shpërtheth mbetet e dëmtuar nga prurjet e lumit Droje, ndërsa ndërhyrjet vazhdojnë. Po ashtu, ekipet janë të angazhuara në segmentin Skuraj–Gallatë dhe në njësinë administrative Kaçinar, ku ura e fshatit Shpërdhezë u dëmtua nga reshjet.

Qarku Durrës

Situata në Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm është drejt normalizimit, me ujërat që janë tërhequr nga zonat e përmbytura. Nivelet e lumenjve Erzen dhe Ishëm janë brenda kufijve normalë, ndërsa hidrovorët në Porto Romano dhe Hamallaj po punojnë me kapacitet të plotë.

Qarku Kukës

Të gjitha akset rrugore nacionale janë të kalueshme dhe nuk raportohet për probleme.

Qarku Shkodër

Segmenti Theth–Ndërlysaj është zhbllokuar, por vijon të mbetet i bllokuar aksi Ndërlysaj–Breg-Lumi, ku punimet do të vazhdojnë gjatë ditës.

Qarku Gjirokastër

Aksi Sofratikë–Libohovë është normalizuar. Ka prani të shtuar ujërash në segmentin Gjirokastër–Tepelenë, veçanërisht në urën e Kardhiqit dhe në rrethrrotullimin pranë urës së lumit në qytet.

Qarku Elbasan

Punimet për pastrimin e inerteve vijojnë në segmentet Elbasan–Peqin, në zonën e njohur si “Murraç”, si dhe në rrugën Elbasan–Librazhd.

Qarku Korçë

Në fshatin Sanjollas, njësia Barmash, situata është normalizuar pas zhbllokimit të tombinove dhe heqjes së inerteve, duke shmangur rrezikun për banesat.

Situata energjetike

Ekipet e OSHEE vijojnë punën për rikthimin e energjisë në zonat më të prekura, përfshirë fshatrat Skuraj, Vinjollë e Gallatë në Lezhë; njësitë Topojan, Shishtavec, Zapod, Bytyç e Lekbibaj në Kukës; Hajmel e Vig–Mnelë në Vau-Dejës, si dhe Iballë e Qafë-Mali në Fushë-Arrëz; si dhe zonën Maricaj në Memaliaj.

Autoritetet mbeten në terren dhe në gatishmëri për çdo përkeqësim të mundshëm të kushteve atmosferike./L.F-dritare.net